Myftiu i Shkodrës me covid në Turqi: Të lutemi shumë dhe të jemi të vëmendshëm

14/11/2020 16:44

Myftiu i Shkodrës Muhamed Sytari i prekur nga covid, është dërguar drejt Turqisë për mjekim më të specializuar. Me herët drejt këtij shteti u dërgua edhe babai i tij i prekur po ashtu nga koronavirusi.

Në një mesazh në rrjetet sociale, ai thotë:

Të dashur e të shtrenjtë vëllezër, miq, familjarë, dashamirë, kolegë, shokë të rrugëtimeve, qytetarë të zemrës, krejt të afërm të zemrës sime!

Jeta e kësaj bote është vendi i sprovave, me të cilat jemi ftuar të përballemi me durim dhe besim në Zotin tonë, që na do dhe na dhuron bekime edhe nëpërmjet sprovave. Sa ëmbël e pastër e thërret i sprovuari Zotin e tij, sa nuk ka penë ta përshkruajë madhështinë e thirrjes së zemrës së thyer para duarve të Krijuesit të saj…

Prej disa ditësh, po përballem me pasojat e covidit dhe, së bashku me të shtrenjtin Haxhi Babën tim, po ndjekim protokollet e kurimit, me shpresën e madhe në Allahun e Madhëruar, që të na nxjerrë faqebardhë e të veshë me rrobat e shërimit dhe shëndetit të plotë.

Tashmë, kjo situatë botërore nuk është më lajm, porse, me ndihmën e Zotit, e mira do e mundë të keqen dhe fidanet e të vepërmirëve do e mposhtin kiametin e nxitësve të tij!

Prandaj, të lutemi shumë dhe të jemi të vëmendshëm për fëmijët tanë, për familjen, miqtë dhe tokën tonë të shtrenjtë, Nanen tonë të përbashkët.

Jam i paaftë t’ju falënderoj emër për emër e shembull për shembull për çfarë keni bërë për mua, por ju garantoj se jam krenar me miqësinë tuaj, duatë, mesazhet, përkushtimet e gatishmërinë për të qenë dorë për dorë me ne në këtë sprovë familjare.

Allahu ju dashtë e ju bekoftë!

Imam Muhamed B. Sytari
Ankara, 14 nëntor 2020

Top Channel