Ministria e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka ndërmarrë sot një inspektim pa asnjë lajmërim paraprak në burgun e Reçit. Në qendër të inspektimit ishte verifikimi i situatës me masat parandaluese anticovid, kontrolli në terren, evidentimi i kushteve për trajtimin e personave të dënuar, si edhe mbështetja e punonjësve të policisë së burgjeve dhe stafit civil në këto kohë pandemie.

Së bashku me drejtorin e burgut dhe shefin e sigurisë, Ministrja Gjonaj inspektoi mjediset e brendshme të infermierisë, gjendjen e medikamenteve, stokun e mjeteve mbrojtëse anticovid, kuzhinën e IEVP-së, sasinë dhe cilësinë e ushqimit, si edhe protokollet sanitare të stafit mbështetës.

Gjithashtu Ministrja vizitoi mjediset e përbashkëta të të dënuarve, sallën e komunikimit online me familjarët, ku la porosi të dyfishohet koha e komunikimit online të të dënuarve, për t’i ardhur në ndihmë mbajtjes së kontakteve me familjen në këtë kohë kur vizitat e të afërmve të tyre janë të pamundura prej situatës së Covid19.

Marrëdhëniet etike me vartësit ishin një tjetër pikë ku Ministrja e Drejtësisë kërkoi impenjim maksimal. Zonja Gjonaj njoftoi të gjithë strukturat e burgut të Reçit se ka instaluar dy linja të hapura komunikimi për të gjithë stafet e IEVP-ve të Republikës. Në çdo kohë, secili anëtar i forcave policore ose staf civil mund të komunikojë direkt me Ministren dhe strukturat e saj, për të raportuar çdo shqetësim ose problematikë.

Ministrja Gjonaj theksoi se do të tregojë zero tolerancë ndaj çdo lloj abuzimi nga stafi i burgjeve dhe i kërkoi Drejtorit të IEVP Reç që krahas vëmendjes maksimale për masat anticovid, të garantojnë sigurinë, të mos bëjnë asnjë lëshim dhe se çdo rast abuzimi me detyrën, do të konsiderohet shkelje e rëndë. Gjithashtu Gjonaj kërkoi të rritet vëmendja ndaj sendeve të ndaluara që tentohet të hyjnë në IEVP, si në rastin e celularëve, etj.

Gjatë inspektimit Ministrja e Drejtësisë Gjonaj deklaroi se shumë shpejt do të vendosen në funksion kartelat elektronike të të dënuarve, si një risi në sistemin penitenciar në Shqipëri.

Gjonaj deklaroi se rritja e pagave të personelit të burgjeve përbën një shtytje mjaft pozitive pasi është hera e parë që miratohet dhe realizohet. Me hyrjen në fuqi të ligjit në fillim të gushtit 2020, do të barazohen pagat e policisë së burgjeve me ato të policisë së shtetit duke u trajtuar me vështirësi, vjetërsi dhe gradë.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel