Pas shqyrtimit të propozimeve për shtesë fondesh nga ministritë e linjës dhe institucionet, deputetët e komisionit të Ekonomisë kanë miratuar nen për nen projektbuxhetin e vitit 2021 që do të kalojë për miratim në Parlament.

Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë do të rritet me 2.2 miliardë lekë, ku 1.2 miliardë lekë ose rreth 9.7 milionë euro do të shkojnë për rimbursimin e ilaçeve të pacientëve të prekur me Covid-19, ndërsa pjesa tjetër për pagesat e papunësisë, duke e çuar fondin total të këtij dikasteri në 69.9 miliardë lekë.

Propozimi është miratuar nga Komisioni i Ekonomisë, i cili ka vendosur të shtojë fondet buxhetore edhe për Infrastrukturën, ku parashikon mbështetjen me një fond të veçantë prej 560 milionë lekësh për pagat e naftëtarëve, si dhe financime shtesë për investime.

Me fonde shtesë do të mbështeten edhe ministri të tjera si ajo e Bujqësisë dhe Turizmit për ringritjen e sektorit, teksa më shumë para do të shkojnë edhe për bashkitë më të goditura nga tërmeti dhe pandemia. Kjo pasi komisioni ka vendosur të ndryshojë formulën e transfertës së pakushtëzuar, duke mbështetur njësitë më të prekura.

Ndër të tjera, nga buxheti i vitit të ardhshëm do të financohet edhe projekti për ndërtimin e Teatrit Kombëtar, kërkesë e Bashkisë Tiranë e miratuar në Komision.

Por, cilat janë burimet që do të përdoren për sigurimin e këtyre fondeve? 300 milionë lekë janë parashikuar t’i hiqen Ministrisë së Mbrojtjes, 300 milionë lekë nga projekti i Censit pasi procesi u shty për në vitin 2022, ndërsa pjesa te mbetur nga rritja e të ardhurave nga TVSH.

Top Channel