Takimi i Bashës me personat që fituan betejën me COVID-in/ Reagon Rama: Ka shumë aktrime, mjekët…

12/11/2020 22:26

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka bërë një takim së fundmi me personat që kanë fituar betejën me COVID-19. Në atë takim, pacientët e shëruar tanimë, cituan se kanë shpenzuar qindra para për t’u kuruar në shtëpi.

Rama gjatë fjalës së tij në emisionin “Open”, theksoi se sipas tij ka shumë aktrime në këto takime. Ai tha se me të vërtetë ka kosto trajtimi nga virusi, por sipas tij, pas një komunikimi që ka pasur me ekspertët, ka persona që marrin medikamente të panevojshme, për më tepër që shkaktojnë dëme. Rama theksoi se pacientët e sëmurë duhet të konsultohen me mjekët e familjes dhe në rast se gjendja e tyre shëndetësore rëndohet, të drejtohen në urgjencat apo spitalet e vendit.

“Ka shumë aktrim në këto takime, ka një kosto,është e vërtetë. Unë shkoj në spital tregoj spitalin që është dhe thonë është film, nuk kam takime për të dalë njerëzit për të lavdëruar qeverinë, nëse njëri e bën është e radhë. E para njëherë përfitoj nga rasti sepse këtë gjë ma kanë kërkuar disa nga ekspertët, sepse i kam ballafaquar me ta disa nga gjërat. Shikoni se sa kontradiktore janë përgjigjet, njëri thotë, 2 milion, tjetri 3 milionë. Po shpenzohen para për ilaçe që nuk kanë efekt, madje bëjnë edhe dëm. Përse bombola e oksigjenit çfarë është paketë, që e merr në shtëpi. Oksigjeni nuk merret pa prezencën e mjekëve dhe pa rekomandimin e tyre. Nga bisedimet me ekspertët, thirrjet e tyre kanë qenë në asnjë mënyrë shpenzim për ilaçe që bëjnë dëm.

Ka paketa që përballemi në momentin që identifikohemi me COVID, nëse nuk jemi të rëndë janë të mirëpërcaktuara, duhet të ndiqet këshilla e mjekut të familjes. Privatët duan të shesin, të bëjnë biznes, është e rëndësishme që autoritetet publike të jenë atë që të dëgjohen. Mjekët e familjes janë të mirinformuar, janë ata pika e parë, nëse ka diçka më shumë, është urgjenca e më pas spitali. Armiku kryesor për të gjithë ata që nuk janë në gjendje të rëndë është paniku, pasiguria, lajmet e çmendura, janë fare kriminale, që hidhet dikush nga ballkoni, pa diskutim që kjo shënohet dhe bëhet lajm. Por të bësh lajm me orë për ato që hidhen nga ballkoni është normale. Ndodhin kudo. 71 vetëvrasje ka pasur Italia në spitale, nga marsi deri më tani, raportohen me shumë kujdes, nuk bëhen romane televizive. Një gazetar thoshte se mërziten që i ka vdekur shoku i dhomës. Media nuk duhet të analizojë hedhjet nga ballkoni me lloj lloj, që bëjmë këtu ne për të komentuar të dielën sportive. Kjo është delikate, sepse po të flasim me çfarëdo tjetër, këto që na dëgjojnë janë njerëz që jo thjeshtë të dinë për politikën, por kanë një hall të madh, ose kanë një të sëmur, ose kanë frikë. Por t’i shtosh ankth me muhabete është shumë e rëndë”, tha Rama.

Top Channel