Shqipëria u detyrua të hyjë në izolim të pjesshëm për shkak të rritjes së lartë të numrit të infektimeve. Masat do të vazhdojnë për tre javë dhe do të rishikohen sipas ecurisë së pandemisë Covid-19.

Komiteti i Ekspertëve për këtë pandemi i sugjeroi këto masa qeverisë Rama në fillim të kësaj jave, nisur nga grafiku ditor në rritje i rasteve të reja të infektuara dhe ato të viktimave: këto raste vijojnë të mbeten mbi 500. Vetëm në tri ditët e para të kësaj jave ato arritën në 1595 të infektuar dhe numri i viktimave në 31, afërsisht aq viktima sa pati në total Shqipëria në tre muajt e karantinës, nga marsi në maj të këtij vitii. Pandemia COVID-19 ka prekur gjithsej 23.801 persona që nga fillimi i saj dhe ka shkaktuar 590 viktima, shifra këto të konsiderueshme për popullsinë prej 2.8 milion banorësh të vendit, kujton DW.

Ajo thekson se për përballimin e pandemisë po forcohet edhe bashkëpunimi rajonal mes Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut. Drejtuesit e tre vendeve nënshkruan në fillim të javës një Memorandum Bashkëpunimi për të mposhtur COVID-19.

“Duke filluar që tani, do punojmë për koordinimin e sigurisë së vaksinës kundër COVID-19 për qytetarët tanë. Do të mbështetemi tek njëri tjetri dhe do të ndihmohemi në momente të caktuara, nëse ndodh mbingarkesë e sistemeve shëndetësore në vendet tona”, deklaroi kryeministri maqedonas Zoran Zaev. Në bazë të Memorandumit të Bashkëpunimit rajonal qytetarët e tre shteteve mund të udhëtojnë në secilin prej tyre pa testin e Covid-19.

Top Channel