Humb betejën me COVID në moshën 66 vjeçare Xhevit Dermyshi, mesazhi i ndjerë i ministres Kushi

12/11/2020 12:46

Mësuesi i nderuar nga qyteti i Gramshit, Xhevit Dermyshi, ka humbur betejën me COVID, në moshën 66 vjeçare.

Lajmin e hidhur e ka konfirmuar Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, e cila nëpërmjet një postimi në rrjete sociale shpreh ngushëllimet familjarëve dhe të afërmeve të mësues Xhevitit.

Njëkohësisht, ministrja iu bën thirrje të gjithë qytetarëve të respektojnë çdo masë në mënyrë që të parandalohet përhapja e këtij virusi vdekjeprurës.

Postimi i plotë:

Fatkeqësisht, koronavirusi goditi sërish një tjetër arsimtar të nderuar nga qyteti i Gramshit, mësuesin Xhevit Dermyshi, i cili për vite të tëra ka shërbyer me shumë përkushtim dhe profesionalizëm.

Gjej rastin të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, të afërmit, nxënësit dhe kolegët e mësues Xhevitit. Njëkohësisht, dua të bëj thirrje që të gjithë të tregojmë rigorozitet në zbatimin e çdo mase që e parandalon këtë virus të pabesë!

Top Channel