Frikërat, depresioni dhe pagjumësia janë pasojat më të shpeshta afatgjatë të sëmundjes COVID-19, thotë një studim i ri i realizuar Universiteti i Oksfordit.
Rreth një vit pas shfaqjes së koronavirusit u mesua se patogjeni agresiv nuk prek vetëm mushkëritë dhe rrugët e frymëmarrjes, por edhe zemrën, enët e gjakut, nervat, veshkat dhe lëkurën. Në muajin korrik bota u trondit nga lajmi i neurologëve britanikë se edhe tek pacientët me simptoma të lehta ose tek ata që janë shëruar nga sëmundja, SARS CoV-2 mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme të trurit dhe sistemit qendror nervor, të cilat mund nga ana e tyre mund të krijojnë psikoza, paraliza dhe goditje në tru, sëmundje që mund të dallohen shumë vonë.
Tani shkencëtarët e Oxford Health Biomedical Research Centre kanë zbuluar se tek një e pesta e pacientëve sëmundja COVID-19 mund të shkaktojë probleme psiqike. Rezultatet e studimit janë publikuar në revistën shkencore “Lancet Psychiatry”. Për hulumtimin me bazë të gjerë, u vlerësuan së bashku me rrjetin e shëndetit TriNetX dosjet elektronike shëndetësore të 70 milionë pacientëve.
Mes tyre kishte edhe 62.000 të prekur në gjendje të lehtë. Tek ta u kontrollua nëse patën shfaqje të problemeve psiqike në periudhën dy javë deri tre muajsh, pas diagnostikimit me COVID. Sipas studimit tek 18,1 përqind e pacientëve me COVID -19, pra rreth një në pesë pacientë, u diagnostikuan sëmundje psiqike në këtë periudhë kohore, dhe tek 5,8 përqind e pacientëve u pa për herë të parë shfaqja e një sëmundjeje psiqike.
Një nga autorët e studimit, Max Taquet nga Instituti Kombëtar për Studimet e Shëndetit, National Institute for Health Research, tha se ky zbulim ishte i papritur dhe duhet studiuar më tej, por ndërkohë sipas tij, shfaqja e shqetësimeve psiqike duhet shtuar në listën e faktorëve të rrezikut nga COVID-19 “.
Top Channel