Japonia raportoi një rekord ditor të 1,645 të infektuar rishtas me koronavirus të enjten, që ekspertët thonë se shënon valën e tretë të virusit, raportojnë mediat lokale.
Shifra, e cila përfshin një rekord 236 raste të reja në ishullin Hokkaido në veri të vendit, tejkaloi rekordin e mëparshëm prej 1596, i cili u regjistrua në 7 gusht, njoftoi Kyodo News.
Tokio konfirmoi 393 raste të reja, rritja më e madhe ditore në tre muajt e fundit, ndërsa prefektura perëndimore e Osaka regjistroi 231 raste, duke kapërcyer pragun e 200 rasteve për të tretën ditë me radhë.
Rritja e fundit e njerëzve të infektuar “mund të konsiderohet si vala e tretë e koronavirusit”, tha Toshio Nakagawa, kreu i Shoqatës Mjekësore të Japonisë, në një konferencë shtypi, kur Japonia regjistroi 1,543 raste të reja të përditshme të infeksionit.
Japonia përfundoi një gjendje emergjence njëmujore në mes të majit në shumicën e 47 prefekturave. Vendi u përball me një valë të dytë të virusit në gusht.
Duke folur në një konferencë shtypi të enjten, ministri i Rindërtimit Ekonomik Yasutoshi Nishimura tha se aktualisht nuk kishte nevojë për të shpallur një gjendje të jashtëzakonshme në vend për herë të dytë.
Sidoqoftë, ministri Nishimura tha se Japonia mund të ketë nevojë për kufizime në aktivitetin ekonomik nëse situata përkeqësohet.
Japonia deri më tani ka regjistruar gjithsej 114.400 raste të infeksionit dhe gjithsej 1.884 vdekje nga COVID-19.
Top Channel