‘Spitalet covid në kolaps’/ Rama i përgjigjet opozitës: Neveri, akuza të lodhura për të ardhur në pushtet

11/11/2020 11:24

Kryeministri Edi Rama me anë të një konference për shtyp, ka kritikuar sërish ndaj opozitës, duke thënë se ndjen neveri për akuzat e tyre kur thonë se sistemi shëndetësor është në kolaps. Sipas Ramës kjo nuk është e vërtetë dhe se sistemi shëndetësor nuk është i çakërdisur.

Më tej Rama ka thënë se opozita po hedh këto akuza në mënyrë që të kthej sa më shumë njerëz kundër qeverisë, por sipas tij kjo është një strategji e dënueshme.

“Me lejoni të ndaj me publikun ndjenjën e neverisë dhe të përbuzjes, për shefat e opozitës, që janë çakërdisur deri në pikën ku shpresat e tyre të lodhura për pushtet i kanë mbështetur të gjitha tek ëndrra e një katastrofe mjekësore. Janë bërë zëdhënës të panikut të çoroditës psikologjike dhe të një pesimizmi të fabrikuar për të krijuar sa më shumë dëshpërim përmes, gënjeshtrash, sajesash. Propagandë të shfrenuar që dëmton moralin e mjekëve, ekspertëve që udhëheqin në këtë front ku Shqipëria ka vetëm një pjesë të vogël në një vijë që ka përfshirë të gjitha vendet e planetit. E pa justifikueshme që tu thuash njerëzve që spitalet janë në kolaps, por nuk është e vërtetë. Edhe mund të ishin siç ka ndodhur por nuk është e vërtetë. Siç ka ndodhur në vende dhe spitale shumë më të zhvilluar, por nuk është e vërtetë që mjekimi bëhet nëpër autoambulanca.”

“Është absurde, se shifrat janë ta larta kudo. Po vjedh Merkel? Po vjedh Britania e Madhe? Po vjedh qeveria franceze? Vjen nga qëllimi ogurzi për të nxitur panik dhe për të armiqësuar njerëzit me qeverinë. Shumë e dukshme dhe vulgare. E dënueshme si strategji për pushtet, por nuk kanë shans ta marrin. Lavdi zotit nuk erdhi virusi kur ishin ata me shëndetësinë që na lanë ata. Atëherë do kishim parë se çdo të thotë tragjedi kombëtare. Si mund të organizohet një sulm i tillë? “ tha Rama.

Top Channel