Përfaqësuesi i shoqatës së bareve ankohet për kufizimin e orarit/ Brataj: Kemi rrezikuar shumë

11/11/2020 23:05

Përfaqësuesi i shoqatës së bareve dhe restoranteve, Enri Jahaj, ishte i pranishëm me anë të një lidhje direkte në emisionin “Open”.

Ai deklaroi se sektori i bareve dhe restoranteve ndodhet në një kolaps për shkak të kufizimeve të reja, ndërsa kërkoi që të subvencionohen nga shteti. Jahaj kujtoi se sektori i bareve dhe restoranteve kanë shumë të punësuar dhe përbëjnë pjesën më të madhe të totalit të taksave.

Jahaj theksoi se nëse sistemi shëndetësor ndodhet në kolaps, edhe sektori i bareve dhe restoranteve ndodhet në një situatë të tillë.

Enri Jahaj: Është e njëjta gjë që në bar restorantet rrinë njerëzit grumbull. Flasim për një sektor ku ka shumë të punësuar dhe është nga më të punësuarit në Shqipëri. Edhe media ka bërë të vetën, duke parë pamjen, askush nëpër shtëpia nuk ndihet mirë, por tensioni dhe paniku shtohet. Njerëzit do të jenë më të shpenguar. Është e njëjta gjë me maskat, nëse do i referohemi statistikave. E bukura e kësaj gjëje që merret një masë drastike dhe ne mbyllemi në 9, turni i dytë del jashtë loje.

Skënder Brataj: Vendet e tjera janë mbyllur në 6, ne kemi rrezikuar shumë.

Enri Jahaj: Në vendet e tjera i japin ndihmë ekonomike, nëse do të flasim për mbyllje të flasim edhe për këtë. Është një nga sektorët më të diskriminuar deri më tani. Ne kërkojmë subvencionim. Janë gjithë andej, janë palestrat, përse nuk flet njeri për qendrat tregtare, përse nuk flasim për taksitë.

Skënder Brataj: Për të gjitha thuhet, pishinat dhe palestrat u hapën të fundit.
Enri Jahaj: Ne u mbyllëm të parët dhe u hapëm të fundit.

Skënder Brataj: Unë sfidoj këdo sot që të jetë në një vend që të vendosi për të tjerët sa e vështirë është.

Enri Jahaj: Nëse sistemi shëndetësor është në kolaps edhe ne jemi në kolaps.

Top Channel