OFL “zbarkon” në Tiranë/ Drogë dhe vjedhje, këta janë 6 të piketuarit e radhës (EMRAT)

11/11/2020 14:30

Këtë herë, Operacioni Forca e Ligjit ka zbarkuar në Tiranë, ku u ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, gjashtë shtetasve.

Bëhet fjalë për Redi Gora (Kromidha), banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim; Florjan Hasa, banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”; Ylli Hakballa, banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim; Altin Hoxha, banues në Tiranë, i dënuar në Gjermani për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”; Artur Konja, banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim dhe Rinaldo Xhemo (Filaj) banues në Tiranë, i dënuar në Zvicër për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Top Channel