Merrnin kredi me dokumenta të falsifikuara, arrestohet një person, një tjetër shpallet në kërkim

11/11/2020 13:23

Një shtetas është vënë nën prangat e policisë dhe një tjetër është shpallur në kërkim për verpat penale mashtrimi në kredi dhe falsifikimi dokumentash.

Specialistët e Seksionit të Krimit Ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimit në kredi, zhvilluan dhe finalizuan operacionin e koduar “Kredia-4”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasit:

H. L., 33 vjeç, banues në Tiranë. Si dhe u shpall në kërkim shtetasi L. A., për të cilin nuk jepen të dhëna tjera për arsye hetimi.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë marrë kredi të vogla në institucione mikrofinanciare duke përdorur dokumente të dyshuara të falsifikuara.

Punohet për kapjen e shtetasit L. A. dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi në kredi“ dhe “Falsifikimi i dokumenteve.”

Top Channel