Bien shitjet në Gjirokastër/ Shiten më pak veshje dhe mallra industriale

11/11/2020 12:30

Në Gjirokastër dhe rrethina, bizneset e mallrave të konsumit industrial apo të veshjeve që nuk lidhen me nevoja të nivelit bazik për qytetarët kanë rënie të shitjeve në masën 80%.

Në këtë periudhë që përkon me pragun e dimrit zakonisht blerjet e eletroshtëpiakeve do të duhej të ishin përqendruar te ngrohësit, por këtë vit interesi është fare minimal dhe blerësit e paktë janë në pritje të ofertave dhe çmimeve sa më të lira.

Edhe butikët e veshjeve nuk po furnizohen prej muajsh pasi klientët pothuajse nuk hyjnë në këto njësi. Njerëzit po përpiqen të kursejnë sa të munden thotë Nertila, shitëse në një dyqan prej shumë vitesh.

Tendenca e përgjithshme për kursim vihet re sidomos në sistemin bankar ku vërehet tendenca për të trajtuar me kujdes paranë. Tërheqjet sipas bankierëve bëhen vetëm për nevoja bazike ndërsa janë ndërprerë investimet. Bankat nga ana tjetër duket se kanë rritur vigjilencën ndaj aplikantëve për kredi pasi së fundi shumë kërkesa për para lidhen me nevojat e bizneseve të vogla për ti shpëtuar falimentit.

Prej vitesh, rajoni jugor i Shqipërisë kishte filluar të përballte rënien e remitancave prej emigrantëve. Të ardhurat e emigracionit nuk arkëtohen më në Shqipëri por janë duke i shërbyer nevojave të jetës që emigrantët kanë krijuar në Greqi dhe vende të tjera ku janë vendosur. Ky vit dhe sfida e pandemisë i goditi edhe më shumë kursimet e pakta që kjo kategori e popullsisë mbante në bankat shqiptare në të gjitha rajonet pranëkufitare në Jug.

Top Channel