Pak ditë më parë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi se ishte e infektuar me Koronavirus.

Tanimë, ministrja e ka fituar betejën me virusin dhe këtë të mërkurë ishte e ftuar në studion e emisionit “Top Talk”. Balluku tha se asaj nuk iu shfaqën simptoma të agravuara të sëmundjes. Ajo i bëri thirrje qytetarëve që të konsultohen me mjekë dhe të mos marrin këshilla nga miqtë që mendojnë se dinë se si të trajtohemi në të tilla situata.

“Askush nuk mund të thotë që është një përvojë e lehtë për ta kaluar, pavarësisht se unë i kisha simptomat e lehta, edhe temperatura e moderuar disi, edhe më pas nuk kam pasur këto simptomat e rënda të dhimbjeve të trupit. Megjithatë do të thoja që ka qenë një 8 ditësh intensiv aspak i këndshëm, do të ishte mirë që të gjithë ju që nuk jeni infektuar, të merrnit masa dhe të përkujdeseni për t’u mos infektuar nga koronavirusi. Jam ndjekur në shtëpi dhe nga mjekë. I falenderoj të gjithë ata që u kujdesën për mua gjatë asaj periudhe. Ditën e parë që u sëmura, filluan të më vinin në telefon receta nga pacient të mëparshëm.

Unë mendoj që rastet janë të ndryshme nga njëri-tjetrit, kështu që i jam drejtuar mjekëve, jam ndjekur nga ata, absolutisht kam bërë çfarë kanë thënë ata. Nuk kam eksperimentuar me medikamente që nuk duhej përdorur. Dy gjëra dua të theksoj, e para ruhuni nga ky virus nuk është aq i lehtë sa thonë, mundohuni të respektoni masat që duhen marrë. Nëse do të sëmureni, sepse kjo është një gjë që nuk e kontrollojmë, unë kam punuar me kushte të larta sigurie sanitare dhe kur vjen puna prapë u infektova, do të ishte mirë të lidheni me mjekë. Është shumë gabim të dëgjoni pacientë që kanë qenë përpara, apo miq që mendojnë se dinë se si kalon ky problem, konsultohuni me mjekë sepse ato e dinë se si të trajtohemi”, tha Balluku.

Top Channel