BE do t’i forcojë rregullat ndaj ekstremizmit në internet

10/11/2020 17:37

Bashkimi Evropian planifikon t’i forcojë rregullat për luftimin e ekstremizmit online, tha të martën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Komentet vijnë pas disa sulmeve vdekjeprurëse që goditën së voni Francën dhe Austrinë.

Militantët e dyshuar islamikë vranë tetë njerëz në më pak se një muaj, në Paris, Nicë dhe Vjenë.

Sulmet e rifokusuan vëmendjen e bllokut te kërcënimi nga ekstremizmi, i cili kishte rrëshqitur nga maja e rendit të ditës në Evropë, pas humbjes së militantëve të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, në vitin 2017.

Ministrat e Drejtësisë dhe të Brendshëm të BE-së do të mblidhen të premten.

Von der Leyen tha se rregullat e BE-së do të përfshijnë masa për të luftuar përmbajtjen ekstremiste në platformat në internet.

“Vlerat tona duhet të mbrohen në internet dhe jashtë tij”, tha von der Leyen.

“Në javët e fundit e kemi parë edhe një herë se sa urgjente është kjo”, shtoi ajo.

Charles Michel, i cili kryeson samitet e udhëheqësve të BE-së, propozoi krijimin e një instituti të veçantë evropian për të trajnuar hoxhallarët.

Një draft i një deklarate të përbashkët për takimin e ardhshëm të ministrave, i parë nga agjencia e lajmeve Reuters, bën thirrje që migrantët “të bëjnë përpjekje aktive për t’u integruar, derisa u ofrohet ndihmë në këtë drejtim”.

Vendet e BE-së “duhet ta kenë mundësinë për të rivendosur dhe zgjatur kontrollet e përkohshme të kufijve të brendshëm” nëse kjo është e nevojshme, thuhet në draft-deklaratë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA