17 vjet më parë oficeri i gardës Genc Sina u qëllua për vdekje teksa  po priste dritën jeshile të semaforit e njëkohësisht në makinën e gardës ndodhej familja e prokurorit të përgjithshëm të asaj kohe Theodhori Sollaku.

I vrarë në krye të detyrës , oficeri la jetim djalin 3 vjeç që tanimë i ka paditur të gjithë dhe kërkon shpalljen dëshmor  të të atit.

Në padinë që Top Channel disponon, Lusjo Sina i radhit gjykatës faktet duke përmendur rrethanat kur i ati  u ekzekutua. 20 vjeçari i ka dorëzuar gjykatës shkresat e shefit të gardës së asaj kohe Arben Çuko që thekson se gardisti ishte planizuar me detyrë për të lëvizur familjen e prokurorit të përgjithshëm  Sollaku.

Genci Sina shkruan Çuko u qëllua për vdekje nga një taksi e ndaluar përbri . Familjarët e prokurorit të përgjithshëm nuk pësuan asnjë dëmtim. Më tej i biri i parashtron gjykatës së këshilli i qarkut e shpalli dëshmor por në 2011 komisioni qendror për këtë status e refuzoi emrin e gardistit në tabelën e dëshmorëve.

Për shumë vite familja e gardistit ka vijuar luftën për t’u njohur si i rënë në krye të detyrës duke mbledhur edhe qëndrimin e prokurorisë që pranon se shoferi i familjes së ish-prokurorit të përgjithshëm u vra për këtë shkak, si dhe një sërë qëndrimesh të ministrave të brendshëm vit pas viti . Beteja e familjes tashmë ka zbritur në gjykatën e kryeqytetit me palë të paditur komisionin qendror për statusin e dëshmorëve pranë ministrisë së mbrojtjes.

Top Channel