Organizuan ceremoni festive/ Gjobiten me nga 1 mln lekë, dy lokalet në Manzë e në Fushë Krujë

09/11/2020 13:07

Durrës – Dy lokale janë gjobitur me nga 1 milion lekë, pasi janë konstatuar duke ushtruar aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ kundër Covid-19.

Shërbimet e Policisë në DVP Durrës, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë konstatuar 1 lokal në Fushë Krujë dhe 1 në Manzë, në të cilët ishte organizuar ceremoni festive në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar protokollet e sigurisë.

Shërbimet e Policisë i kanë vendosur pronarit të subjektit në Manzë, shtetasit, A. M., masën administrative 1.000.000 lekë. Gjithashtu, shërbimet e Policisë i kanë vendosur pronarit të subjektit në Fushë Krujë, shtetasit Xh. B., masën administrative 1.000.000 lekë.

Policia e Durrësit apelon për të gjithë pronarët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Top Channel