Korçë -Vihen në pranga dy shtetas, të dy me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër jetës, kundër rendit e sigurisë publike, si dhe falsifikimit të monedhave. Sekuestrohet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Lapidari”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

A. B., 37 vjeç, banues në Moravë, Korçë (i dënuar më parë për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”).

A. Q., 36 vjeç, banues në fshatin Dvoran, Korçë (i dënuar më parë për veprat penale “Vrasja” dhe “Falsifikimi i monedhave”).

Forcat e Policisë, pas informacioneve të siguruara në rrugë policore se dy shtetas do të transportonin lëndë narkotike në zonën e Vithkuqit, kanë organizuar shërbimet dhe kanë bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e dy shtetasve të mësipërm në vendin e quajtur “Lapidari” tek Qafa e Martës. Gjatë kontrollit fizik dhe në çantat e tyre të shpinës u gjet një sasi prej 2 kg e 100 gr. lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel