Studentët që qëndruan në Tiranë/ Nuk u kthyen pas vendimit për mësim online, kishin paguar shtëpitë me qira 

08/11/2020 19:43

Vendimi i papritur për mbylljen e auditoreve dhe zhvillimin e muajit të parë të mësimit online nuk i ka kthyer të gjithë studentët e rretheve në shtëpi, pasi kanë paguar qiratë e banesave në kryeqytet.

“Si ndryshim vendimi kostoja numër 1 është qe unë duhet të rri në Tiranë . Unë jam nga korca dhe shumë mirë mund të isha kthyer në vëndlindje në korcë dhe ta bëja mësimin aty. Këtu është shumë e vështirë, pagesa e qirasë , drita ujë cdo gjë. Ke dhe kostot e e jetesës “, THA Orest Cenolli, student i FSHN.

Oresti Cenolli student në Fakultetin e Shkencave të natyrës po zhvillon orën e mësimit në lëndën e programimit  me pedagogun që e takon për herë të parë virtualisht, vetëm përmes zërit. Efekt Për të mësimi online ka anë pozitive por dhe jo të tilla.

 “Pozitive ka sepse  është puna e covidit, je më i sigurtë në shtëpi. Pronari i shtëpisë sime ka hequr internetin dhe jam detyruar që të marr internetin nga komshiu. Ka shkëputje zëri, ndonjëherë nuk e dëgjon. Faqja e shkollës nuk hapet, nëse psh jemi 3 veta që duam të bëjmë pyetje në të njëjtën kohë aty do bëhet një lëmsh. Sot psh më ra rasti që nuk më punoi mikrofoni i kompjuterit dhe nëse ti ke një pyetje nuk ja bën dot, do detyrohesh tia shkruash por që profesori të shikojë komentin do duhet të ndalojë mësimin”, tha ai.

Studentët e Universitetit të Tiranës po ndjekin procesin nëpërmjet platformës Microsoft Teams, por dhe krijimi i klasave virtuale ka sjell ngatërresa.

 “Ne po prisnim pedagogun , ndërsa pedagogu po na priste ne në klasën e tij që kishte krijuar dhe ndaj pati një vonesë të mësimit”, tha ai.

Në varësi të situatës së pandemisë Komiteti Teknik i Ekspertëve do të vendosë nëse mësimi do të vazhdojë në distancë ose jo, por kjo do të ishte e papërballueshme për Orestin i cili do e linte shtëpinë me qira.

“Nëse zgjatet kam plan që të kthehem në Korcë sepse nuk me leverdis nga ana monetare që të qëndroj”, tha ai.

Top Channel