Mbi lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të artistit të humorit, Koço Devole ka reaguar kryeministri i vendit, Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj.
Përmes një postimi në Facebook, Rama shkruan:
“⚫️LAMTUMIRË I SHTRENJTI KOÇO! U PREHSH NË PAQE🙏”, shoqëruar me një fotografi të të ndjerit.
Po kështu, po përmes Facebook-ut ka dhënë ngushëllimet e tij edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj:
“Shumë e hidhur ndarja e beftë nga jeta e aktorit fort të dashur, Koço Devole. Ai ishte emblema e humorit shqiptar – na la pas shumë e shumë personazhe, me të cilët qeshim edhe sot. U prehsh në paqe! Ngushëllime familjes”.
Koço Devole ndërroi jetë në moshën 75-vjeçare. I prekur nga koronavirusi, artisti gjendej prej disa ditësh i shtruar në spital. Më 31 tetor ai mundi të dalë nga Infektivi, por për shkak të përkeqësimit u rikthye sërish për t’u futur në intubim. Ajo çka e rëndoi gjendjen e tij shëndetësore ishte fakti se Devole vuante nga leucemia.
Koço Devole (lindur në Kuçovë më 28 nëntor 1945), është skenarist, humorist dhe karikaturist shqiptar. Ai rrjedh nga një familje me origjinë nga fshati Sinjë i Beratit.
Koço Devole përfaqësonte një nga personalitet më të njohura të humorit shqiptar. Përveçse aktor i shkëlqyer humori, Devole është karikaturist, skenarist, regjisor dhe prezantues spektaklesh. Rolet e tij në skene dhe ekran janë nga më të njohurit për publikun shqiptar.
Top Channel