Kandidati presidencial demokrat i SHBA-së Joe Biden deklaroi se të gjitha të dhënat nga përpunimi i vazhdueshëm i votave në shtetet kyçe tregojnë se ai është në rrugën e duhur për të marrë postin nga presidenti aktual Donald Trump.
“Shifrat na tregojnë një tregim të qartë dhe bindës se do të fitojmë këtë garë”, tha Biden.
“Totali i votave tona është ende në rritje. Ne jemi duke mposhtur Donald Trump-in me mbi katër milionë vota, dhe kjo diferencë po rritet gjithashtu”, shtoi ai.
Ish-nënpresidenti amerikan përmendi një seri numërimesh në të cilat ai jo vetëm që ka ulur hendekun me Trump-in, por në fakt e ka tejkaluar dhe rritur epërsinë e tij, ndërsa zyrtarët e zgjedhjeve numërojnë fletëvotimet me postë.
Këto shtete përfshijnë Pennsylvania-n, e cila ka 20 delegatë të Kolegjit Zgjedhor. Ai kryeson me gati 29.000 vota atje, si dhe në Gorgia Biden ka një avantazh shumë më të ngushtë, por në rritje, ku aktualisht është në epërsi me gati 4.400 vota.
Ndërkohë, Biden ka vazhduar të ruajë epërsinë e tij në Nevada, ku ka një avantazh prej gati 2 për qind.
Një fitore në cilindo prej atyre shteteve do ta vendoste Biden-in në pragun e Kolegjit Zgjedhor të 270 votave të nevojshme për të marrë Shtëpinë e Bardhë.
Me 214 delegatë, Trump ende mund teorikisht të tejkalojë shifrën 270, por rruga e tij është shumë më e vështirë se ajo e Biden-it.
Top Channel