Automjetet e bllokuara për skrap/ Propozimi përfshin Mbi 20 mijë makina që policia i ruan që prej vitit 2013

07/11/2020 15:27

Mbi 20 mijë automjete të bllokuara nga policia përpara vitit 2013, do të shkojnë për skrap. Ky është propozimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit drejtuar Ministrisë së Brendshme. Arsyeja është që këto automjete qëndrojnë në ambientet e komisariateve, drejtorive të policisë dhe në ambiente të marra me qira, duke zënë hapësira të konsiderueshme, por duke shtuar edhe kostot për ruajtjen e tyre.

Ky propozim përfshin vetëm automjetet të cilat janë bllokuar nga policia për shkak të masave administrative, për mungesë dokumentacioni, apo që janë gjetur edhe të braktisura.

Por edhe pse të bllokuara, pronarët e këtyre automjeteve nuk janë interesuar më pas për t’i marrë mbrapsh, duke i braktisur oborreve të policisë. Ka vetëm një shkak. Vlera e lartë e parkimit dhe e gjobave që këta pronarë duhet të paguajnë, sipas policisë së shtetit, e kalon disa fish vlerën e mjetit, dhe për këtë arsye ato nuk janë zhbllokuar nga pronarët.

Ndërsa pjesa tjetër e automjeteve të cilat janë në statusin e provës materiale, do të vazhdojnë të qëndrojnë nën administrimin e Agjencisë së Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Aktualisht sipas të dhëna, janë rreth 400 punonjës policie të cilët merren me ruajtjen e automjeteve të bllokuara, që sipas policisë së shtetit është shpenzim i panevojshëm, ashtu sikundër edhe shpenzimet e larta, të marrjes së ambienteve me qera, ku këto automjete qëndrojnë.

Kjo amnisti, që policia e shtetit kërkon për të çuar automjetet e bllokuara përpara vitit 2013, për skrap, aktualisht është në fazën e një projekt-drafti drejtuar Ministrisë së Brendshme, i cili më pas pritet t’i shkojë Komisionit të Sigurisë për diskutime të mëtejshme, por që parimisht e ka marrë mbështetjen e këtij komisioni.

 

 

Top Channel