Në ish-fabrikën e metaleve në Kukës/ Akuza e Hagës: U torturuan mbi 20 persona për bashkëpunim me serbët

06/11/2020 19:45

Kjo është ish-ofiçina e përpunimit të metalit në Kukës.

Në vitin 1999, për katër muaj me radhë, këto godina dhe kjo hapësirë shërbyen si bazë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u mobilizuan dhe u përgatitën luftarakisht mbi 10 mijë ushtarë dhe pjesëtarë të UÇK-së.

Por në aktakuzën e prokurorëve të Hagës, thuhet se në këto godina u mbajtën të ndaluar së paku 20 persona pa proces të rregullt ligjor. Gjithashtu në aktakuzë thuhet se ata u mbajtën të lidhur me pranga dhe me roje të armatosur mbi kokë.

Pronari i ish ofiçinës së metaleve, Asllan Elezi, e cila me dëshirën e tij u kthye në bazë të UÇK-së, mohon që akuzat e ngritura të jenë të vërteta.

“Këto janë shpifje, vetëm për të ul moralin dhe dinjitetin e atyre burrave që e kanë la Kosovën me gjak, ushtarët e UCK-së. Unë nuk mbaj përgjegjësi për këto që folin, mbaj përgjegjësi përpara ligjit”.

Prokurorët e Hagës, vitin e shkuar ishin pikërisht në këtë bazë për hetime, por Asllan Elezi thotë që ata arritën të gjenin vetëm 8 fishek luftarakë.

“Në këto dhoma ku kanë nejt ato, këtu s’gjetën kurrgjë, se s’kish. Kujtun se pale ça është bo”.

Organi i akuzës së Hagës, ka hedhur dyshime se edhe në këtë bazë, mund të jenë kryer transplante të organeve njerëzore.

“Kontrolluan. Absolutisht nuk gjetën gjo. Ju bëri përshtypje ajo penxherja aty ka qenë dhoma e mjekëve dhe ato ikshin për Francë”.

Tashmë, baza ku u mobilizuan mbi 10 mijë ushtarë dhe pjesëtarë të UÇK-së, është drejt amortizimit.

“Mbas 89′, siç është tani që s’shërbehet, nuk punon, nuk hyn askush”.

Top Channel