‘Më lidhi me hekura, tek vendi i qenit…’ Djali dhunon nënën, por gjykata e kthen në shtëpi: Për pak do jepja jetë

06/11/2020 20:20

Një grua në Kamëz edhe pse ka dy urdhra mbrojtje është dhunuar dhe lidhur në oborrin e shtëpisë nga djali i saj sërish.

E moshuara që jeton në kushte të mjerueshme u detyrua të shkojë sërish në polici, pasi nuk ka asnjë zgjidhje për djalin që gjykata ia dërgon në shtëpi.

“Kushtet më të zeza që i kam unë nuk ka. A nuk kam qejf edhe unë të jetojë si njerëzit. Që edhe unë ta kem fëmijën si të tjerët.” thotë ajo me lot në sy.

Nëna Hava Myrta, është dy herë fatkeqe, e para se jeton në kushte të mjerueshme, pa asnjë ndihmë dhe e dyta sepse fëmija, i saj e dhunon. Rasti më ekstrem është raportuar në polici pak ditë më parë, ku i biri 15 vjeçar, jo vetëm e dhunoi por edhe e lidhi në oborrin e banesës dhe i kërkoi pensioni.

“Unë isha këtu dhe ai më kapi. Me lidhi në hekurat e qenit. T’mos kishte qen një gocë, se bërtita hajde se mbarova. Kam qenë tu dhënë jetë në hekura të qenit. Nuk lidhet nëna në hekura të qenit. Këtu më ka lidh. Çfarë t’i bëj. Shkova në polici dhe erdhën e  morën.”

Nënë Havaja ka urdhër mbrojtje në polici nga i biri dhe efektivët herë pas here vijnë për kontroll por në të vërtetë, djali problematik është shoqëruar shpesh dhe për shkak të moshës gjykata e ka lënë e lirë. Apeli i nënë Havasë është i rrallë.

“Ku janë ligjet.  E marrin 5 minuta dhe e sjellin. Kam frikë prej djalit. Nuk më rrahin të tjerët, prej djalit kam frikë.”

Në takime ekspertësh institucionet garantojnë zgjidhje por në banesën e nënë Havasë në Kamëz, ajo kërkon ndihmë. Sipas saj ligjet s’kanë formë dhe asnjë efekt.

Top Channel