Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi ka zhvilluar një takim me drejtuesit e prokurorive të rretheve Kurbin dhe Krujë, Arben Nika dhe Petrit Çano.
Ibrahimi është njohur nga afër me problematikat e këtyre dy prokurorive. Hartimi dhe zbatimi i dy rregulloreve, ajo për Lëvizjet Paralele dhe Ngritjen në Detyrë, ishte një ndër pikat më të rëndësishme të diskutimit, ku u dakordësua për një gjithëpërfshirje më të madhe të prokurorëve dhe Këshillit në këtë proces.
Me interes të veçantë është trajtuar edhe një ndër problemet më të shpeshta sa i përket shtimit të numrit të oficerëve gjyqësorë pranë prokurorive. Rishikimi i hartës gjyqësore është edhe një nevojë për një bashkëpunim më të ngushtë dhe efektiv mes oficerëve gjyqësore dhe prokurorëve. Një nevojë kjo e cila lind nga ngarkesa e punës, sidomos në prokurorinë e rrethit Kurbit, e cila renditet e 5-ta në vend për nga volumi i cështjeve që trajton në vit.
Gjithashtu, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, është ndalur edhe tek vendimi që ky Këshill mori në lidhje me vlerësimin e prokurorëve.
Ibrahimi u shpreh se kjo nuk është një tentativë e Këshillit për të zëvendësuar kompetencat e KPK, KPA apo edhe OMN-së, por një hapësirë për të mbushur vakancat urgjente që ka sistemi aktualisht, duke respektuar të gjitha vendimet dhe rezultatet që do të sjellë procesi i Vetingut.
Top Channel