Ish mbretërorët e Gjermanisë kërkojnë kthimin e pasurive por i pengojnë lidhjet me Hitlerin

05/11/2020 18:18

Të ngrehura në majë të një kodre në jug të Gjermanisë shihen majat e kështjellës Hohenzollern.

Fortesa është selia disa shekullore e familjes së fundit perandorake gjermane dhe sikur vendi të ishte ende një monarki, pronarë të saj do të ishin anëtarët e familjes mbretërore.

Brenda saj do të ishte Princi Kaiser Prince Georg, i cili e përshkruan origjinën e tij si një linjë të gjatë mbretërish e mbretëreshash që sundonin dikur Prusinë, e cila asokohe perfshinte Gjermaninë, Poloninë, Lituaninë, Rusinë e Danimarkën.

Por së bashku me kështjellën dhe pasuritë, Princi Georg ka trashëguar edhe një betejë të ashpër ligjore me autoritetet për konfiskimin e bërë pas rënies së nazizmit.

Princ Georg pretendon koleksionin e tij prej më shumë se 10,000 objektesh të paçmueshme artistike, edhe pse kjo raportohet se ka shkaktuar zemërim në publik dhe madje edhe mes ekspertëve.

“Këtë e konsideroj si një detyrë,” thotë ai në një intervistë me CNN. “Mendoj se familja ime do të ishte dakord me ndjekjen e plotë të pretendimeve, pa marrë parasysh nëse gjykatësit do i pranojnë apo jo”.

Por në arritjen e objektivit të tij, familjen e Princit Georg e pengon një ligj i ashpër që përjashton rigorozisht ata që kanë ndihmuar pushtetin e liderit nazist Hitler nga kthimi apo kompensimi i pronës.

Për ta kuptuar këtë duhet të kthehemi rreth një shekull më parë, kur pas disfatës në Luftën e Parë Botërore në 1918, vendi anulloi familjen mbretërore për t’u kthyer në një republikë demokratike. Asokohe familja e “Kaizerit” hoqi dorë nga një pjesë e mirë e pasurisë së saj si kështjella, toka, kurora e vera arti, dhe u largua në ekzil në Hollandë.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania u nda në lindje e perëndim, ku shumica e pronave private të familjes mbretërore ra “në anën e gabuar” të Perdes së Hekurt.

Pas rënies së Murit të Berlinit në 1990, Gjermania kaloi një ligj që i kthente pasurinë e sekuestruar të gjithë atyre që e kishin humbur. Miliona familje të larguara nga Gjermania Lindore përdorën legjislacionin për të rimarrë shtëpitë e tyre, por ligji kishte një klauzolë të qartë: “Ata që kishin ndihmuar aktivisht nazistët nuk përfshiheshin”.

I pyetur nëse pretendimet Princ Georg janë të justifikuara, një zëdhënës i departamentit gjerman të kulturës, tha: “Nga pikëpamja politike jo, nga ana ligjore gjërat mund të duken ndryshe. Kjo është arsyeja e vetme e bisedimeve”.

Baza e pretendimeve është një foto në kështjellën Hohenzollern Castle, të cilën Princi Georg nuk e kishte parë ndonjëherë: Aty shihet stërgjyshi i tij Princi Wilhelm, në vitin 1933, i veshur me uniformë ushtarake dhe fashë naziste në krah.

Ai qëndron mbi një kryq të thyer gjigand në një parakalim të 80,000 anëtarëve të SA, njësisë paramilitare naziste. Në këtë kohë Wilhelm sapo ishte kthyer nga ekzili me premtimin se nuk do të përfshihej në politikë, një premtim që me sa duket nuk kishte mbajtur.

“Është e vështirë ta shikosh,” thotë Princ Georg. “Pamjet janë të fuqishme, veçanërisht me kryqin e thyer në krah. Nuk e di përse po e mban”.

Princi georg është gjithashtu i 202-të në radhë për fronin e Britanisë, sipas ekspertëve. Ai thotë se me padinë e tij nuk kërkon vëmendje por zhurma nuk mund të evitohej.

“Gjyshi im më ka kërkuar të vijoj çështjen e rikthimit dhe premtimi im ndaj tij më motivon dhe sot. Ndjehem i detyruar të bëj detyrën time, ai e kishte përmendur në testament, dhe pret që unë të ndjek hapat e tij”.

FOTO GALERI
3/6
Por nje fotografi eshte zbuluar nga historianet ku stergjyshi i tij me uniforme naziste saluton parakalimin e njesive SA

Top Channel