Arrestohet 23-vjeçari i shpallur në kërkim për transportin e 29 emigrantëve të paligjshëm

05/11/2020 13:20
Foto ilustruese

Një 23-vjeçar i shpallur në kërkim pasi bashkëpunoi me një person tjetër për transportimin e 29 emigrantëve të paligjshëm është  arrestuar ditën e sotme.

Në datën 12.10.2020 E.M. është kapur në vendin e quajtur “Tyrbja e Gocës” në Maliq, duke transportuar kundrejt fitimit, me mjetin furgon tip “Benz” emigrantët. Më pas ai është arratisur dhe në vend u arrestua vetëm M. B., 20 vjeç.

Njoftimi i policisë:

Qarku Korçë/ Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”. Ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni. Bashkëpunoi me një person tjetër (të arrestuar më parë) për transportimin e 29 emigrantëve të paligjshëm dhe nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar, vihet në pranga 23-vjeçari. Strukturat për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, Policinë Kufitare Korçë dhe Komisariatin e Policisë Maliq, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 12.10.2020, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim E. M., 23 vjeç, banues në Vorë, Tiranë. Ky shtetas dyshohet si bashkëpunëtor i shtetasit M. B., 20 vjeç (i arrestuar në flagrancë), të cilët në datën 12.10.2020 janë konstatuar nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Tyrbja e Gocës”, Maliq, duke transportuar kundrejt fitimit, me mjetin furgon tip “Benz”, 29 emigrantë të paligjshëm. Punonjësit e Policisë i kanë bërë shenjë për ndalim, por shtetasi E. M. nuk i është bindur urdhrit të tyre.  Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim”.

Top Channel