Fiks Fare sjell sot dëshmi se si i trajtojnë strukturat shtetërore rastet e divorceve problematike në të cilat fëmijët janë ata që vuajnë pasojat.

Në këtë investigim është konstatuar neglizhencë e strukturave shtetërore të policisë që “mbushin” Urdhëra Mbrojtje si t’ja kërkojë viktima. Gjykatës që ofendojnë fëmijën duke e paragjykuar për situatën pa e dëgjuar akoma si është problemi. Përmbarues që nuk pranojnë të zbatojnë ligjin, pasi prindërit mund t’i nxjerrin probleme në momentin e takimit. Prokuroria thotë që babai që është me arrest shtëpie për çelje të dosjes për takimin e vajzës mund të bëjë me një prokurë, por përmbaruesi nuk pranon.

Edhe mbrëmjen e sotme Fiksi vijoi me investigimin e historisë së katër motrave që po vuajnë pasojat e divorcit të vështirë të prindërve. Njëra nga motrat, kur janë divorcuar prindërit ka qenë vetëm 17 vjeç. Ajo vendosi të qëndronte me babain dhe është kujdesur për motrën më të vogël, që në atë kohë ishte vetëm 5 vjeç. Ajo dëshmon për një marrëdhënie të paqëndrueshme me nënën, e cila sipas saj dhe motrave i ka braktisur disa herë, por ato gjithmonë kanë shpresuar se do të kthehet.

Por marrëdhënia e tyre është një problem personal. Shqetësues është fakti se si strukturat shtetërore, në rastin konkret policia e shtetit, i trajton këto raste. Vajza tregon se nëna, ka marrë një urdhër mbrojtje ndaj saj, kur ajo nuk ka patur jo vetëm kontakt fizik me të, por as nëpërmjet telefonit.

Në një intervistë për Fiksin vajza tregon se si nëna e saj ka kërkuar një urdhër mbrojtje ndërkohë që ajo pretendon se nuk ka patur asnjë kontakt me të. Në ata datë që është marrë urdhëri i mbrojtjes ajo ka qenë bashkë me forcat e rendit, dy policë dhe një police për të takuar motrën. Ka kërkuar ndihmën e policisë për të shmangur konfliktin. Nëna nuk ka pranuar. Vajza është larguar bashkë me policët. Pas disa ditësh në shtëpi i vjen me postë një urdhër mbrojtje nga gjykata.

Policia mbush urdhër mbrojtje edhe kur s’ka fakte. “Ti më thuaj dhe unë ta mbush si të duash”.

Vajza fillimisht shkon të interesohet pranë policisë Durrës, atje ku edhe është kërkuar edhe urdhëri i mbrojtjes nga nëna. Për t’u interesuar për rrethanat dhe arsyen.

Aty ajo pyet fillimisht se çfarë duhet të bëjë për të marrë një urdhër mbrojtje. Oficeri i policisë i thotë se nuk ka nevojë për fakte “këtu ta bëj unë si të duash ti. Ta mbush unë si të duash ti”. Kur sheh urdhërin e mbrojtjes që ka marrë e ëma ndaj vajzës, polici pyet i habitur nëse vajza është kontaktuar ndonjëherë nga policia kur është kërkuar ky urdhër mbrojtje. Ajo i thotë që e ka marrë vesh vetëm kur ka vajtur në gjykatë. Në fund fare i thotë “në rast se do të duhet ai urdhëri i mbrojtjes hajde kur të duash”.

Fiksi i kërkoi policisë së shtetit zyrtarisht informacion lidhur me kushtet ligjore në të cilat kërkohet urdhri i mbrojtjes. Në përgjigjen e tyre ata citojnë se ligji është shumë i qartë. Para se të kërkohet një urdhër mbrojtje në gjykatë, detyra e policisë së shtetit është të intervistojë fillimisht si të dhunuarin edhe viktimën, dhe paraprakisht merret urdhri për masa paraprake të mbrojtjes së menjëhershme. Pasi bën këto procedura atëherë çështja shkon në gjykatë dhe kjo e fundit vendos për lëshimin e urdhërit të menjëhershëm të mbrojtjes. Kjo sipas ligjit 47/2018 i ndryshuar. Ligj që duket të jetë anashkaluar në rastin konkret.

Vajza paraqitet në gjykatë për urdhërin e mbrojtjes sipas thirrjes, nëna nuk vjen. Çështja pushohet por para se të dëgjojë ç’ka për të thënë vajza gjykatësja e paragjykon dhe ofendon. Në seancë ajo i thotë vajzës “Leji provat tashi se nuk vjen nana kot për dhunë të gocës, po ec. Kam edhe unë fëmijë vet, po larg qoftë. Do ta mbyllëm sot gjyqin nëse nuk ka ardhur nëna po…”

Në fund gjykatësja e pushon çështjen pasi nëna nuk u paraqit, dhe pyet për situatën aktuale. Kur vajza i thotë që vetëm njëra nga motrat është me të ëmën, gjykatësja i thotë që nuk e di si e ka bërë gjykata këtë, se si e ka marrë këtë vendim, pasi ato duhet të qëndroni të katërta motrat bashkë.

Për shkak të konfliktit pranë zyrës së përmbarimit, babai është me arrest shtëpie. Ai nuk shkon dot për të çelur dosjen për takimin mujor të vajzës pranë Zyrës së Përmbarimit. Prokurori që ka çështjen e babait thotë që realizmi i këtij procesi mund të bëhet nëpërmjet një prokure, por përmbaruesi nuk pranon. “Nuk e bëjmë dot më prokurë se ndoshta nuk pranon pala tjetër e vjen ta marrësh ti vajzën e ajo nuk e jep. Ka rast që edhe kur e sjellin fëmijën gjyshërit, këtu për ta dorëzuar pala tjetër nuk pranon se thotë ta sjelli vet e ëma. Janë probleme shumë.” Duke i lënë kështu pa një zgjidhje dhe të ndara katër motrat, të cilat fillimisht u “braktisën” nga prindërit për shkak të problemve të tyre, dhe sot janë “braktisur” nga strukturat shtetërore që shikojnë probleme aty ku duhet të gjejnë zgjidhje dhe nuk respektojnë ligjin aty ku ka hapësira.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel