Eksplorohet liqeni i Viroit/ Polumbarët nga Ukraina zhyten në burimin e mëmës

04/11/2020 12:40

Një ekip zhytësish të spileologjisë nënujore nga Ukraina kanë mbërritur në Shqipëri për të eksploruar liqenin e Viroit dhe konkretisht burimin e Mëmës një mes më interesantëve në Jug të vendit. Spileologët vijnë këtu për herë të tretë dhe siç na shpjeguan përherë e gjejnë situatën të ndryshme.

“Erdhën për të bërë një ekspeditë në Virua. Është viti i tretë që vijnë. Sot Oleg do të bëjë një zhytje me nxënësit e vet që është edhe trajnim njëkohësisht. Nuk gjen fjalë për ta përshkruar zhytjen këtu. Kur hyn atje ke një ndjesi të paparë. Struktura e relievit nënujor të fut në një botë tjetër. Viroi është një atraksion për turistët dhe ne po përpiqemi të sjellim sa më shumë njerëz në Gjirokastër por Viroi është një nga pikat kryesore për zhytësit”, shprehet Saimir Kushova, zhytës shqiptar.

Olegu, drejtuesi i grupit ukrainas thotë se çdo zhytje në Virua është e ndryshme.

“Dy vjet më parë që kam ardhur këtu për herë të parë uji ishte i kthjellët në mënyrë të pabesueshme ndërsa rrymat e forta të nënujit e bënë atë eksperiencë unike. Herën e dytë që erdhëm uji ishte sërisht i kthjellët por rryma nuk na lejoi të hyjmë në shpellat nënujore që janë edhe interesi i shumicës së zhytësve. Këtë herë situata është tërësisht e ndryshme. Nuk kemi ujë të kthjellët, por do përpiqem të zbres në 40-44 metra sot dhe të shoh nëse brenda shpellave qartësia duhet të jetë më e lartë. Nëse jo do të detyrohemi të eksplorojmë një shpellë tjetër këtë herë”, Oleg Klymchuk zhytës

Ata po përgatiten tani për zhytjen e tyre të tretë dhe sigurisht edhe rezultatet do të jenë të ndryshme.

“Uji nuk ishte i kthjellët as në thellësi kështu që nuk patëm fat këtë herë. Po nisemi për në shpellën e Petranikut ku do të provojmë të zhytemi për herë të parë. Herën e kaluar vetëm e kemi vizituar. Shpresojmë t’ia dalim atje.”

Megjithëse ky sport nuk duket se është i përshtatshëm për të gjithë pasi vetëm profesionistët mund të zhyten në këto thellësi, spileologët thonë se fotot, videot dhe të gjitha materialet që vijnë nga nënuji janë një atraksion turistik më vete. Ato kanë nxitur shumë vizitorë të vijnë për ta parë këtë atraksion natyror shumë pranë Gjirokastrës.

Top Channel