Infektimi i kancelarit të Gjykatës së Krujës dhe shfaqja e simptomave të dyshimta te punonjës të tjerë të administratës së kësaj gjykate të cilët janë në pritje të rezultatit të tamponit ka çuar në mbylljen e veprimtarisë së kësaj gjykate, të mërkurën, për një periudhë të paktën 10 ditore.

Në Krujë përveç kancelarit, janë dhe 6 persona të tjerë me simptoma tipike të Covid-19. Me vendim të ndërmjetëm nga ISHSH Durrës u bë mbyllja e gjykatës për 10 ditë si dhe karantinimi i detyrueshëm i 15 punonjësve të saj nga 7-10 ditë duke nisur nga data 4 nëntor. Kthimi i tyre në detyrë do të behët vetëm kur të kenë rezultat negativ të tamponit.

Ndërkohë situata duket e tensionuar dhe në Gjykatën e rrethit gjyqësor  Durrës ku dy gjyqtarë dhe një punonjës i administratës rezultojnë të infektuar me SARS-CoV-2. Nën peshën e frikës nga infektimi për shkak të veprimtarisë intensive të saj, gjyqtarët, sekretaret dhe pjesa tjetër e stafit janë në pritje të një vendimi për mbylljen ose uljen e numrit të seancave gjyqësore që zhvillohen gjatë ditës. Shtimi i rasteve me Covid-19 ka ndikuar edhe në shtyrjen e seancave gjyqësore të gjyqtarëve të infektuar, po dhe të disa avokatëve që kanë rezultuar pozitiv.

Pavarësisht se seancat gjatë pandemisë janë zhvilluar me numër të kufizuar personash, duke lejuar në seanca vetëm palët ndërgjygjësuese , virusi ka arritur të depërtojë dhe të prekë gjyqtarët. Mes dy gjyqtarëve të infektuar është dhe kryetari i kësaj gjykate, ndërkohë të tjerë qëndrojnë në pritje të rezultatit të tamponit.

Top Channel