Tre persona janë shoqëruar nga policia e Durrësit në lidhje me shpërthimin që ndodhi natën e kaluar në zonën e Shkozetit.
Një sasi lënde plasëse shpërtheu në lagjen nr.14 të Durrësit, në rrethimin e oborrit të shtëpisë së shtetasit Skënder Hoxha 36 vjeç. Policia bëri me dije se ka qenë një sasi e vogël lënde plasëse që shpërtheu, pa shkaktuar as të lënduar dhe as dëme materiale.
Hoxha është kushëri me Nuredin Dumanin i dyshuar si autor i 7 vrasjeve të ndodhura gjatë këtij viti dhe që kanë lidhje me paratë e grabitjes së Rinasit.
Dumani është person në kërkim, po grupi hetimor ende nuk bën me dije nëse shpërthimi i natës se kaluar lidhet me veprimtarinë kriminale të Dumanit.
Tre persona janë shoqëruar në funksion të hedhjes dritë mbi ngjarjen, ndërsa grupi hetimor vijon punën për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të saj, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Ndërkohë nuk përjashtohet as mundësia që të jetë kryer një akt i tille për t’u shfrytëzuar për fitimin e së drejtës për azil në një nga vendet e BE-së.
Ndërkohë po shihet dhe mundësia e ndonjë konflikti të mundshëm të Hoxhës me persona të tjerë që kanë dashur t’i japin një paralajmërim përmes përdorimit të një sasie të vogël lënde plasëse.
Top Channel