Donald Trump, presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një lider shumë i polemizuar kërkon një mandat tjetër në Shtëpinë e Bardhë dhe e ka bërë këtë me kartën e emigracionit, tregtisë dhe ekonomisë në dorë… por më pas, kriza e koronavirusit erdhi dhe ndryshoi shumëçka…
74-vjeçari i lindur në Queens, ka qenë një ish-drejtues reality-show dhe biznesmen i pronave të paluajtshme në Nju Jork që asnjëherë nuk kishte garuar për një post politik deri në 2016-ën. Mënyra se si Trump dhe administrata e tij reaguan ndaj krizës së koronavirusit, me shumë gjasa do të mbahet mend gjatë dhe do të ndikojë padyshim në rezultatin e zgjedhjeve. Para se kriza e koronavirusit të konsumonte administratën e tij, thirrjet e tubimeve të 2016-ës, “Ndërto murin”, rëndonin mbi fushatën e tij për rizgjedhje. Ndërtimi i një muri përgjatë kufirit jugor të vendit që duhej të ndalonte emigrantët e paligjshëm ka ecur ngadalë, por ndalimi i emigrantëve ka qenë një nga politikat kryesore të tij që edhe ka karikuar bazën mbështetëse.
Trump e ka përdorur madje emigracionin edhe si një mënyrë për të devijuar vëmendjen nga mënyra se si administrata e tij ka menaxhuar pandeminë. Trump, po ashtu, e bëri eleminimin e rregulloreve federale një prioritet me fokusin te çmontimi i rregulloreve ambjentaliste të erës së obamës. Deri më tani, ai ka dështuar të arrijë prioritetet e tij legjislative të kohës kur erdhi në detyrë: nuk e rrëzoi dot “ObamaCare”, por ka kënaqur jo pak republikanët me angazhimin e tij në emërimin e gjykatësve konservatorë në instancat federale. Trump ka patur në vëmendje edhe tregtinë duke arritur madje të shkëputet edhe nga ortodoksia republikane e tregtisë së lirë në favor të një qëndrimi më populist.
Ai përmbyti tregtinë me Kinën dhe rishikoi marrëveshjen me Meksikën dhe Kanadanë. Politika e tij e jashtme mund të përmblidhet me frazën, “Amerika e para”. Sidoqoftë, shumë ndihmës dhe aleatë, mendojnë se Trump nuk po garon më kundër një kundërshtari politik, por kundër koronavirusit dhe rizgjedhja e tij varet nga fakti nëse do të mund të bindë apo jo zgjedhësit se administrata e tij ka shpëtuar jetë njerëzish.
Sidoqoftë, në çdo dalje publike, vetëvlerësimi i tij është i lartë.
“Mund të qëndroj në mes të bulevardit të pestë dhe të qëlloj dikë me armë dhe nuk do të humbisja asnjë votues”, ka thënë ai.
Top Channel