Drejtësia endet akoma për djalin që vdiq në spitalin e Fierit, avokati: Gjykata fsheh filmimet!

02/11/2020 13:52
Avokati Kujtim Cakrani në “Shqipëria Live”

Drejtësia endet akoma për Besnik Ramën, qytetarin që u nda nga jeta në ambientet e spitalit të Fierit më 23 dhjetor në 2018.

Familjarët pretendojnë se neglizhenca e mjekëve duke mos dhënë ndihmën e duhur, vrau djalin e tyre. Kujtim Cakrani, avokati i familjes i ftuar në “Shqipëria Live” thotë se prokuroria ka mbyllur çështjen, por familjarët nuk e pranojnë vendimin.

Ai thotë se provat filmike të spitalit për dy orë janë fshirë dhe se është hera e dytë që e njëjta gjyqtare vendos pushimin e çështjes.

Sipas avokatit ky është një komplot mes infermierëve dhe mjekëve për të mos marrë përgjegjësinë.

“Çështja shkoi në Gjykatën e Shkallës së Parë Fier, gjykata e pushoi, bashkia fsheh provat bashkë me gjykatën. Është hera e dytë që e njëjta gjyqtare vendos pushimin,  se mjeku Viktor Gjini dhe dy infermierët nuk kishin abuzuar me detyrën edhe pse mjeku nuk kishte bërë falsifikim dokumentesh. Provat janë zhdukur, kemi kërkuar që të na vinin në dispozicion pamjet filmike. U vendos pezullim nga detyra për mjekët, pasi mjekët kishin ardhur në orën 6 të mëngjesit dhe jo në 4 siç kishin thënë. Kanë kaluar 15 ditë pa marrë një përgjigje. Janë rreth 6 orë filmime dhe sa konstatova më rezultoi që 2 orë filmime nuk ekzistonin. Nga ora 6-7 ishin zhdukur filmimet, ia kam kërkuar gjykatësit dhe ajo nuk e ka marrë parasysh, ka vazhduar. Është një rast i paprecedent i një drejtësie të kalbur. Mjekët nuk kanë qenë prezent edhe sepse kanë hedhur firmën, ato ka thënë se ka qenë në 4 por ka ardhur në orën 6. Gjykata duhej ta kishte marrë parasysh, janë veprime nul se organi akuzës nuk është marrë me të. Edhe kartela është firmosur në orën 4:30 ndërkohë që ka qenë në shtëpi. Kemi fshehje të provave dhe shpërdorim të detyrës”, thotë avokati.

Top Channel