Një 52 vjeçar nga Tropoja, Preng Gjonaj, i dha fund jetës së tij rreth orës tre mëngjesin e kësaj të diele duke u hedhur nga kati i katër i Sanatoriumit të Tiranës.

Ai ishte shtruar në këtë spital rreth një javë më parë ku po trajtohej në pavijonin e Covid-19, pasi ishte prekur nga koronavirusi. Dyshimet janë që 52-vjeçari, u hodh në kushte të rënduara psikologjike, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë u ngrit edhe një grup hetimor, për të zbardhur shkaqet e vetëvrasjes. Drejtori i Sanatoriumit, Perlat Kapisyzi thotë se pacienti nuk kishte paraqitur shenja psikologjike jo normale.

Vetëvrasja e kësaj të diele është ngjarje e përsëritur në spitalin Shefqet Ndroqi. Në 13 gusht, një 29 vjeçar nga Durrësi, Xhino Koça u hodh nga kati i tretë i spitalit, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Ai ishte shtruar prej katër ditësh, por në kushte të rënduara psikologjike i dha fund jetës së tij.
Ngjarja e dytë ndodhi mbrëmjen e 2 shtatorit, ku një 65 vjeçar nga Klosi, Hasan Mira, edhe ai në kushte të rënduara psikologjike, u hodh nga katit të tretë të Sanatoriumit, duke ndërruar jetë në mënyrë tragjike.

Burime të Top Channel, nga grupet hetimore që kanë hetuar dy vetëvrasjet e para, bëjnë me dije se shkak i hedhjes së pacientëve nga lartësia, ka qenë gjendja e tyre e ankthit që i ka kapur gjatë qëndrimit në spital, çka më pas i ka rënduar edhe më tej psikologjikisht, duke i çuar drejt akteve ekstreme.
Ndërkaq, pas vetëvrasjes së dytë në shtator, ndaj autoriteteve shëndetësore, u shtua presoni, që pacientët e shtruar në të dy spitalet Covid, t’u lejoheshin celularët me qëllim, për të qenë në kontakt me familjarët e tyre.

Top Channel