Dy shtetas, një 18-vjeçar dhe një 30-vjeçar, janë vënë nën prangat e policisë pasi transportonin emigrantë të paligjshëm kundrejt përfitimit.
Policia njofton se u kapën duke u transportuar 7 emigrantë të cilëve iu ishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së.
Ndërkohë,u vunë nën pranga shtetasi D. S., 30 vjeç dhe shtetasi S. K., 18 vjeç.
Njoftimi i plotë i policisë:
Qarku Korçë
Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor “Perimetri”.
Goditen dy raste të tjera të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
U kapën duke transportuar 7 emigrantë të paligjshëm, në pranga 2 shtetas.
Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur dy raste të tjera të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilëve u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
• D. S., 30 vjeç, banues në Korçë, i cili u kap nga shërbimet e policisë, në afërsi të fshatit Gështenjas, Pogradec, duke transportuar me mjetin tip “Volkswagen”, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit prej 200 euro secilit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
• S. K., 18 vjeç, banues në Rrogozhinë, i cili u kap nga Policia në vendin e quajtur “Lumi i Tërhanit” në Pogradec, duke transportuar me mjetin tip “BMW”, 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit prej 150 euro secilit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Top Channel