Macron: Deklarata ime rreth karikaturave është keqkuptuar në botën islame

01/11/2020 10:12

Presidenti francez, Emmanuel Macron, pretendoi se reagimi në botën islame pas deklaratës së tij për karikaturat ndodhi për shkak të keqkuptimit.

Në një intervistë për Al Jazeera, Macron tha se ai dëshiron t’i eleminojë keqkuptimet e fundit dhe se ai po i ndjek reagimet e ashpra në arenën ndërkombëtare që “sulmojnë Francën”.

Duke theksuar që vendi i tij nuk ka ndonjë problem me fenë dhe se muslimanët që jetojnë në Francë praktikojnë fenë e tyre lirshëm, Macron pretendoi se nuk ka diskriminim ndaj muslimanëve në vend dhe se thuhen gjëra të gabuara mbi këtë çështje.

Macron deklaroi se publikimi i karikaturave në vend është liri e shprehjes dhe në lidhje me karikaturat fyese të revistës franceze Charlie Hebdo, ai tha: “Unë mund t’i kuptoj dhe i respektoj emocionet që i shkaktojnë këto karikatura. Por unë dua që ju ta kuptoni rolin tim. Detyra ime është që unë të promovojë qetësinë dhe, në të njëjtën kohë, ta mbroj këtë të drejtë (të karikaturës)”.

Macron tha se Charlie Hebdo nuk është një revistë zyrtare dhe ajo publikon e lirë.

“Nuk është qeveria franceze ajo që i vizatoi këto karikatura. Megjithatë, nëse kërkoni që Presidenti i Francës ta anulojë këtë të drejtë, përgjigjja është jo. Sepse kjo e drejtë ka të bëjë me të drejtën e popullit francez dhe të gjithë botës. E rëndësishme është të mbrohet kjo liri”, tha presidenti francez, duke shtuar se ai nuk e pranon dhunën që ndodhi pas lëshimit të këtyre karikaturave.

“Unë nuk jam teolog, por nuk mendoj se dhuna është e ligjshme ose e mbështetur në Islam. E kuptoj që këto karikatura kanë shkaktuar tronditje dhe kam respekt për këtë gjë, por unë kurrë nuk do të pranoj përdorimin e këtyre karikaturave për të justifikuar dhunën”, shtoi ai.

Ai tha se personalisht, nuk mbështet çdo karikaturë, por shtoi se duhet mbrojtur e drejta për të vizatuar karikatura.

Macron theksoi se deklarata e tij se “nuk do të heqim dorë nga karikaturat” është komentuar sikur ai mbështet karikaturat fyese ndaj Profetit Muhamed dhe shtoi se kjo nuk është e vërtetë.

“Këto karikatura kanë të bëjnë me të gjitha fetë dhe nuk kanë të bëjnë vetëm me një fe të caktuar”, tha Macron, duke shtuar se reagimet në botën islame burojnë nga keqkuptimi i deklaratës së tij rreth karikaturave.

Presidenti i Francës nuk pranoi kritikat se kariakturat fyese të Profetit Muhamed botohen më shumë në Francë në krahasim me karikaturat e tjera.

“Këto karikatura vizatohen në Francë dhe në këtë vend nuk zbatohen rregullat e Islamit”, tha Macron, i cili shtoi se vendi i tij lufton antisemitizmin dhe të gjitha format e racizmit, por nuk e përmendi luftën kundër Islamofobisë.

Macron dënoi thirrjet në vendet arabe për bojkotimin e produkteve franceze./AA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA