Moody’s  konfirmon vlerësimin B1/ Ekonomia shqiptare pritet të rimëkëmbet vitin e ardhshëm me një rritje 5%

31/10/2020 19:50

Ekonomia shqiptare do të tkurret me 7.1% këtë vit si pasojë e efekteve të pandemisë Covid-19.

Është ky parashikimi pesimist që bën Agjencia e Vlerësimit Moody’s në raportin e saj të fundit, teksa mban të pandryshuar në “B1me perspektivë të qendrueshme” notën e borxhit sovran të vendit, pavarësisht dy goditjeve që ka marrë ekonomia.

Pas një viti të vështirë për financat publike, Agjencia prêt që ekonomia shqiptare të rimëkëmbet vitin e ardhshëm me një rritje prej 5%.

Kufizimet e brendshme por edhe të jashtme për shkak të pandemisë që dhanë një ndikim të madh në tregti, ulja e dërgesave të emigrantëve si dhe konsumi privat evidentohen edhe si faktorët kryesorë të recesionit që po kalon vendi sipas Agjencisë.

Parametrat fiskalë pritet të përkeqësohen si pasojë e koronavirusit, situatë e cila do të jetë e përkohshme, vlerëson ndër të tjera Moody’s, teksa evidenton se rritja e të ardhurave dhe përmirësimi I cilësisë së shpenzimeve do të jetë thelbësore për krijimin e hapësirave fiskale pas goditjes së pandemisë.

Sa i takon borxhit publik, Agjencia vlerëson se pritet të arrijë në nivelin e 80% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, për t’iu rikthyer trajektores rënëse në vitin 2021.

Ministria e Financave në një reagim zyrtar e ka cilësuar raportin e Moody’s një sinjal pozitiv për vendin, teksa shpreh angazhimin e saj për kapërcimin e situatës së vështirë që ka krijuar pandemia.

Top Channel