Erë lufte/ Pekini dislokon aeroplanmbajtësen e dytë në Detin e Kinës Jugore (fotot)

30/10/2020 20:20

Kina ka publikuar së fundmi një video ku tregon se aeroplanmbajtësja e saj e dytë është ushtarakisht gati, në një paralajëmrim të qartë për kombet e tjera për forcën e saj ushtarake.

Shandong, aeroplanmbajtësja e dytë e Kinës po reklamohet nga krerët e ushtrisë si e gatshme për shërbimet bazë ushtarake.

Mediat shtetërore kanë publikuar pamje të luftanijes gjigande duke kryer manovra zjarri në Detin e Kinës Jugore, në një kohë kur SHBA dhe kombe të tjera po tregohen aktive në rajon për t’iu kundërvënë nxitjes agresive të Pekinit.

Luftanija u dorëzua në dhjetor të vitit të shkuar dhe ka kryer testimet deri në fund të muajit të kaluar, me fokus në gatishmërinë e luftimit dhe misionet e praktikës.

Ekspertët vendas e kanë shpallur atë të gatshme për luftim duke thënë se fillimisht do të dërgohet në deti e Kinës Jugore.

Eksperti ushtarak kinez Li Jie, tha për rrjetin vendas Global Times, se kjo është provë se formacioni i dyfishtë i aeroplanmbajtëseve të Kinës, nuk është më një ëndërr.

Duke ngritur lart progresin e Shandong, ai tha: “Në përgjithësi duhet dy vjet që një aeroplanmbajtëse e re të arrijë kapacitetin e luftimit, por Shandong e arriti këtë në më pak se një vit, megjithë eksperiencën e kufizuar të Kinës në këtë fushë.”

Në publikimin e videos së trajnimit Li shton se Shandong është pajisur me gjuajtësit vendas J-15 të cilët janë komponenti më i rëndësishëm luftarak i saj.

Global Times raportonte se meqënëse Shandong është prodhuar në Sanya, do të shërbejë në Teatrin Jugor të Komandës detare.

Kjo e fundit është një nga pesë komandat e Kinës për ushtrinë, dhe ka të bëjë me rajonin e detit të Kinës Jugore.

Lajmi vjen një kohë kur India, Japonia e Australia po kryejnë dhe ato manovra detare në ujëra të kontestuara.

Nitin Pai, drejtor i grupit të analistëve indianë Takshashila Institutio, tha se zhvillimi ka të bëjë dhe me tensionet kufitare me Indinë, dhe mund të jetë në kundërpërgjigje ndaj testimeve të fundit detare të Indisë.

“Siguria në Himalaje gjendet në lindje të Malaccas. Nëse nuk mund të zgjidhësh problemin në zonën e problemit, atëherë thjesht zgjero zonën”, shtoi ai.

FOTO GALERI
3/5
Shandong është pajisur me gjuajtësit vendas J-15

Top Channel