Dhunë ndaj ish-gruas dhe kalim i paligjshëm i kufirit/ Prangosen 2 të rinj në Shkodër, njëri prej tyre i shpallur në kërkim

30/10/2020 12:21

Është kapur dhe ndaluar në Shkodër një person i shpallur në kërkim për dhënie ndihme me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, si dhe ka përfunduar në pranga një 25-vjeçar, për dhunë në familje.

Bëhet fjalë për N. P., 29 vjeç, banues në Shkodër, i cili ishte shpallur në kërkim si një nga autorët e ngjarjes së ndodhur më datë 14.09.2020, ku Policia ishte vënë në ndjekje të tre automjeteve që dyshohej se transportonin emigrantë të paligjshëm, por pasi shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë për ndalim, mjetet janë larguar me shpejtësi.

Gjithashtu është prangosur edhe T. L.  25 vjeç, banues në Shkodër, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj ish-bashkëshortes së tij.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel