Sot Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës (London School of Economics and Political Science – LSE), organizoi konferencën virtuale me temë “COVID-19: Ndikimi në ekonominë reale dhe përshtatja e politikave të bankave qendrore”, por pa pjesëmarrjen e guvernatorit gent Sejko pasi ai ka rezultuar pozitiv me covid.
Ai nuk e pati të mundur t’u bashkohej punimeve të saj, për shkak të rezultimit pozitiv pas testimit të kryer për COVID-19, por njoftohet se ai është në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka filluar karantinimin e detyrueshëm.
Në këtë aktivitet, morën pjesë përfaqësues të lartë të bankave qendrore të rajonit, politikëbërës në fushën e ekonomisë dhe financave në vend, përfaqësues të organizmave ndërkombëtare e institucioneve financiare, të komunitetit të biznesit, si dhe përfaqësues nga bota akademike.
Ky është viti i tretë që Banka e Shqipërisë organizon konferencën e saj vjetore në bashkëpunim me Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës (London School of Economics and Political Science), një ndër 10 universitetet më të mira në botë në fushat e studimeve sociale, ekonomike, politike, shoqërore e ndërkombëtare.
Qëllimi i konferencës së kësaj radhe ishte diskutimi rreth ndikimit të COVID-19 në ekonominë reale si në vendet me ekonomi të zhvilluar ashtu edhe në ato me ekonomi në zhvillim; përshtatja e politikave të bankave qendrore në përgjigje të sfidave që lindën si rrjedhim i gjendjes së krijuar nga pandemia, me fokus rajonin e Evropës Juglindore, dhe në veçanti Shqipërinë.
Ndër të tjera, konferenca trajtoi mënyrën se si vendet me ekonomi në zhvillim zbatuan politika ekspansioniste njëlloj si ato në vendet me ekonomi të zhvilluar; zgjerimin e paketës së politikave ekonomike si dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit; rolin e bankave qendrore kryesore si Banka Qendrore Evropiane dhe Rezerva Federale; si edhe ndikimet në plan afatgjatë mbi inflacionin, stabilitetin financiar, kreditë me probleme, etj.
Top Channel