“A ka akt më të turpshëm?”/ Greva e naftëtareve, Hajdari: S’arrijnë dot të blejnë lapsa dhe fletore për fëmijët e tyre

29/10/2020 14:28

Përgjatë fjalës së saj në Kuvend, Rudina Hajdari u ndal te çështja e grave naftëtare dhe greva e tyre e urisë.

“Sot takova burrat dhe gratë naftëtarë, që kanë kërkesën më minimalistë në botë, duan thjesht pagat e tyre, duan thjesht të sigurojnë jetesën e  tyre bazike. Elena, Dhurata, Moza, Hëna, Floresha, Zamira, Dejana, Lulzimja, Vjollca dhe zonjat e tjera me të cilat u ula dhe bisedova më thanë që e  kanë të pamundur të kthehen në shtëpi, sepse nuk arrijnë dot të blejnë gjërat më minimale për fëmijët e tyre, nuk arrijnë dot të blejnë lapsa dhe fletore, nuk arrijë dot të japin llogari se përse këto gra nuk u garantojnë dot fëmijëve bukën e gojës. Specialistët më treguan se uzina është shumë fitimprurëse;  ajo që po ndodh është se nafta po vidhet, shitet në të zezë dhe vazhdon me atë kompani që deklaron faliment dhe nuk paguan pagat dhe as taksat, lekët e naftës, të taksave dhe lekët e pagave të këtyre nënave vidhen, nuk e di a ka akt më të turpshëm se ky, të grabitësh bukën e tyre, fletoret dhe lapsat e tyre, të mos paguash rrogat e punëtorëve të varfër, a ka akt më të trupshëm se një qeveri dhe kryeministër që do të negociojë me bukën e gojës”, u shpreh Hajdari.

Më tej shtoi:

“Nafta s’mund të shërbejë si mjet pasurimi për një grup njerëzish. Kjo duhet të marrë fund, ata që e kanë shkaktuar duhet të dalin para drejtësisë, unë do angazhohem që kjo do të ndodhë”.

Po kështu, Hajdari ndaloi te çështja e kodit zgjedhor:

“Ju sot do votoni, keni votuar për dekretin që ka kthyer presidenti për kodin zgjedhor, duke vazhduar rrugën tuaj për t’u mohuar shqiptarëve të përzgjedhin ata deputetë që duan. Keni frikë nga ndëshkimi i tyre, keni frikë nga bizneset e vogla, nga nënat, fermerët, keni frikë nga sipërmarrësit e ndershëm , keni frikë dhe i keni braktisur ata dhe ua keni hequr të drejtën për të përzgjedhur ata deputetë që do të jenë zëri i tyre nesër. Sado që ju në këto kohë nuk keni reflektuar, vazhdoni me hilet, vazhdoni dhe i manipuloni me taktikat tuaja. Koha juaj po mbaron dhe do mbarojë shumë shpejt.  Ju do humbisni, për këtë jam e sigurt, do humbisni sepse beteja do të vazhdojë, jo çka do ndodhë si hap më pas është që ne të vazhdojmë nga reforma në drejtësi, në një reformë të thellë në shtet. Duhet patjetër që politikanët të kenë një vetting të thellë politik, nëse vërtet i qëndron betejave dhe nëse vërtet i qëndron parimeve, e vërteta do triumfojë, edhe nëse vonon, por e drejta do triumfojë, ne do ia dalim, ju keni për ta parë që ky rrugëtim do të fillojë më 25 prill”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA