Transportonin 7 klandestinë/ Nuk iu bindën policisë, arrestohen 3 persona në Korçë -Video

28/10/2020 13:45

Tre të rinj kanë rënë në prangat e Policisë së Korçës, në kuadër të operacionit policor “Perimetri”, ndërsa gjatë shoqërimit të tyre në Komisariat ka pasur dhe momente tensioni.

Të arrestuarit udhëtonin me dy makina ”ML” dhe ”Benz” teksa kur janë pikasur nga Policia nuk ia janë bindur urdhërit për të ndaluar. Madje një prej tyre kundërshtoi policët gjatë shoqërimit në komisariat.

Njoftimi i policisë:

Qarku Korçë

Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor “Perimetri”.

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

U kapën duke transportuar 7 emigrantë të paligjshëm, në pranga 3 shtetas.

Tre të ndaluarit nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe njëri prej tyre i kundërshtoi ata me dhunë, gjatë shoqërimit për në Komisariat.

Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, Komisariatin e Policisë Pogradec dhe Forcat Operacionale “Shqiponja”, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

• E. L., 28 vjeç, banues në Shkozet, Durrës.

• E. M., 29 vjeç, banues në Durrës.

• R. H., 24 vjeç, banues në Kavajë.

Shërbimet e Policisë, pas informacioneve të siguruara në rrugë policore se disa shtetas do të transportonin me dy mjete në drejtim të Tiranës, emigrantë të paligjshëm, kanë organizuar punën dhe bënë të mundur lokalizimin e mjetit tip “ML” me drejtues shtetasin E. M. dhe mjetit tip “Benz” me të cilin po udhëtonin dy shtetasit R. H. dhe E. L., të cilëve punonjësit e Policisë iu kanë bërë me shenjë të ndalonin, por këta shtetas nuk i janë bindur urdhrit të tyre për të ndaluar dhe janë larguar me shpejtësi.

Policia është vënë në ndjekje të dy mjeteve dhe bëri të mundur ndalimin e tyre dhe prangosjen e 3 shtetasve. Gjatë kontrollit, në mjetin tip “ML” u gjetën 7 emigrantë të paligjshëm, të cilëve, këta shtetas, në bashkëpunim mes tyre, kundrejt fitimit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Gjithashtu, shtetasi E. L. ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë gjatë shoqërimit të tij për në ambientet e Komisariatit.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Top Channel