Përndjekje, dhunë dhe sherr me policinë, detaje nga arrestimet e fundit në Tiranë

28/10/2020 10:51

Policia e Tiranës ka vënë nën pranga një shtetas të shpallur në kërkim kombëtar, për veprat penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës” dhe “Përndjekja”, si dhe u arrestuan 2 shtetas të tjerë e u procedua penalisht një tjetër, për vepra të ndryshme penale.

Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit P. M., 62 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës” dhe “Përndjekja”.

Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi A. H., 48 vjeç, pasi, në Allias, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj vajzës së tij.

U bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. P., 54 vjeç, pasi në rrugën “Abedin Rexha”, u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 1.05 mg/l.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi H. T., 20 vjeç, pasi, në Rrugën e Durrësit, duke qarkulluar si pasagjer në një mjet ka kundërshtuar për shkak të detyrës punonjësin e Policisë Rrugore.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel