Gjoba për maskat/ Justifikimet që qytetarët në shkelje japin para policëve

28/10/2020 19:45

Që nga hyrja në fuqi e aktit normativ për shtrëngimin e masave anticovid, Tirana rezulton qyteti i parë në rang vendi për numrin më të lartë të vendosjes së gjobave për mos-mbajtjen e maskës.

Policia e lidh këtë me numrin e lartë të banorëve. Nëse unë nuk e mbaj këtë maskë, gjoba që më vendoset nga policia është 3 mijë lek të reja. Por si prihen gjobat e maskave dhe si reagojnë qytetarët? Le ti shohim nga afër.

Aktualisht që kur ky rregull i ri u vendos tre javë më parë, në të gjithë vendin janë vendosur 9015 gjoba. Pjesa më e madhe e atyre që janë ndëshkuar me masë administrative kanë qenë duke ecur në rrugë pa maskë, ndërsa pjesa tjetër janë gjobitur për shkak se kanë qenë në makinë më shumë se dy persona, por nuk kanë përdorur maskën, tashmë të detyrueshme. Edhe për ta gjoba ka qenë tre mijë lek të reja.

Megjithatë, patrullat e policisë që monitorojnë zbatimin e masave anticovid, përdorin edhe këshillimin për qytetarët, të cilët e kanë maskën me vete por që nuk e kanë vendosur. Tjetër formë tolerimi, është edhe për qytetarët të cilët maskën e kanë vendosur, por pa mbuluar hundën edhe gojën.

Por në momentin që qytetarët ndalohen dhe janë pa maskë, ata kanë edhe justifikimet e tyre; një pjesë shprehen se janë aziatikë apo edhe kane alergji nga maska, ndërsa një pjesë tjetër, paraqiten me justifikime të llojit, më ra maska në tokë, mu këput, apo po shkoj tani ta blej.

Ndërkaq, ka pasur edhe raste, kryesisht tek të rinjtë të cilët kanë refuzuar që t’i tregojnë policisë mjetin e identifikimit, por janë shoqëruar në polici për verifikime. Më pas janë lënë të lirë pasi janë ndëshkuar me gjobë.

Nëse një qytetar është përsëritës për mosmbajtjen e maskës, herën e dytë, ai rrEzikon të gjobitet me 5 mijë lek të reja.

Akti normativ, ka parashikuar që gjobat t’ia përcjell qytetarëve nëpërmjet faturës së dritave.

 

Top Channel