Fier/ Po transportonin 3 emigrantë, arrestohen 4 persona dhe sekuestrohen një armë zjarri, 5 krehra automatiku me 153 fishekë

28/10/2020 11:02
Foto ilustruese

Policia e Fierit ka arrestuar  4 persona gjatë kësaj të mërkureje(28.10.2020).

Këto shtetas kanë rënë në prangat e uniformave blu pasi po transportonin në mënyrë të paligjshme 3 emigrantë.

Gjithashtu gjatë kontrollit në banesën e njërit prej të arrestuarve shtetasit E.B, 25 vjeç i cili ka thyer edhe masën e sigurisë “ Arrest në shtëpi”, janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, 5 krehra automatiku me 153 fishekë luftarak.

Njoftimi:

Në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponja” në DVP Fier, finalizuan operacionin policor të koduar “Tranzit”, në përfundim të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

Xh. B., 25 vjeç, E. B., 25 vjeç dhe E. B., 30 vjeç, banues në Tiranë dhe K. T., 25 vjeç, banues në Fier.

Këta shtetas janë kapur në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, duke transportuar në bashkëpunim me njëri – tjetrin, me mjetet tip “Ford Fiesta” dhe “Benz”, 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt fitimit.

Shtetasi E. B., 25 vjeç ka dalë nga banesa duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të caktuar nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Nga kontrolli i ushtruar në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Tiranë, në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri automatik, 5 krehra automatiku me 153 fishekë luftarak.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel