Një anije e marinës greke u përplas me një anije tregtare pranë portit të Pireut, mëngjesin e sotëm.
Nga goditja me anijen tregtare “Maersk Launceston” që mbante flamurin e Portugalisë, anija greke “Kallisto” pësoi dëme të mëdha materiale. Fotot në shtypin greke e treguan të anuar e të zhytur pjesërisht në ujë. Pati madje dhe raporte se nga përplasja ishte ndarë përgjysmë. Më vonë autoritetet sqaruan se gjendja është stabilizuar.
Dy persona kanë marrë lëndime të lehta nga incidenti, por fatmirësisht nuk pati probleme të tjera për pjesën e mbetur të ekuipazhit 27 anëtarësh të anijes greke. Marina e shtetit fqinj ndërhyri shpejt për menaxhimin e situatës së krijuar, me qëllimin të shmangeshin pasoja të mundshme më të rënda.
Mësohet se “Kallisto”, e gjatë 57 metra kishte lundruar nga porti i Salamis, kur anija me kontejnerë e goditi në pjesën e pasme duke rezultuar në një çarje. Nje hetim ka nisur mbi zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Top Channel