Familjarja e Endri Dumanit: Humbëm kontaktin para 1 jave me Evën, u mashtrua nga disa gra

27/10/2020 21:46
Endri dhe Eva Dumani me gjyshen

Sonja Ndregjoni, familjare e Endri Dumanit, e ftuar mbrëmjen e sotme në Open u shpreh se është gëzuar shumë për rikthimin e tij ndërsa presin pafund rikthimin edhe të Evës.

Ajo thotë se Eva nuk mund të pranojë që të radikalizohet sepse mezi priste që të rikthehej në Shqipëri, deri para një jave kur kishin komunikuar.  Ndër të tjera ajo mendon se një grup grash të radikalizuara e kanë mashtruar duke i thënë se do ta dërgonin në një vend më të keq se atje.

“Jemi gëzuar pafund, të gjithë kemi qenë të përfshirë që para 7 vitesh, më shumë në atë periudhë kanë qenë babai, xhaxhallarët por u arrit nga shteti. Pashë që kishte ndryshim në fytyrën e nënës së Endrit se ishim 7 vite që shikonim sytë e ngrysur dhe shpresoj të ketë ndryshim  edhe kur Eva të kthehet. Është një teori që njëra nga gratë në kamp i ka mashtruar duke u thënë se i presin fatkeqësitë në kampin që do t’i dërgonin.  Mund të jetë pamundësi e menaxhimit të situatës, e mendon veten si një grua në kamp tjetër. Unë personalisht nuk kam pasur kontakt, por babi ka pasur kontakt 1 javë më parë. Ishim në dijeni, kemi qenë këtë javën e fundit nuk e di nëse babai ka qenë më parë. Kanë humbur kontaktin me Evën, nuk kanë mundur t’ia mbushnin mendjen që po vjen në shtëpi dhe s’po e dërgojnë në vend tjetër. Eva ka qenë një vajzë që donte me shumë shpresë që të kthehej në Shqipëri. E mendoj të pamundur që Eva të jetë radikalizuar sepse donte shumë të rikthehej në shtëpi”, tha ajo.

Vëllai i saj, Endri Dumani  u rikthye në shtëpinë e tij mbrëmjen e sotme, ndërsa për Evën  mendohet se ajo nuk ka dashur që të rikthehet edhe pse pas kësaj qëndrojnë detaje të reja ende mister.

Top Channel