AstraZeneca: Vaksina nxit reagim të fortë të imunitetit tek të moshuarit

27/10/2020 03:43

Vaksina për Covid-19 që po krijohet nga Universiteti i Oksfordit dhe kompania AstraZeneca ka arritur të prodhojë një përgjigje të fortë imune tek njerëzit e moshuar, grupi në rrezik më të lartë nga koronavirusi, tha të hënën gazeta “Financial Times”. Gazeta citon rezultatet paraprake të provave klinike me këtë vaksinë të mundshme.

Vaksina shkakton reagimin e antitrupave mbrojtës dhe qelizave T tek më të moshuarit, tha gazeta “Financial Times”, duke cituar dy njerëz që kanë dijeni për rezultatet. Ky zhvillim ka inkurajuar studiuesit që janë në kërkim të provave të cilat tregojnë se vaksina do të ndihmonte të moshuarit nga infektimi apo vdekja me koronavirusin.

Hollësitë pritet të publikohen së shpejti në një revistë mjekësore, thuhet në njoftimin e gazetës “Financial Times”. Zbulimet i bëjnë jehonë të dhënave të publikuara në korrik, të cilat treguan se vaksina krijoi “përgjigje të forta imune” në një grup të rriturish të shëndetshëm mes moshës 18 dhe 55 vjeçare, raportoi gazeta, duke cituar njerëz që kanë njohuri për rezultatet nga të ashtuquajturat teste imunogjeniteti të gjakut.

Por gazeta paralajmëroi se rezultatet pozitive të imunogjenitetit nuk garantojnë që vaksina do të jetë e sigurt dhe efektive për të moshuarit. Kompania AstraZeneca, e cila po krijon vaksinën me studiuesit e Universitetit të Oxfordit, shihet si një nga udhëheqësit në garën për të prodhuar një vaksinë kundër Covid-19. Një nga kandidatët kryesorë në botë për vaksinat e koronavirusit, i quajtur AZD1222 ose ChAdOx1 nCoV-19, u krijua nga shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit dhe u liçencua nga kompania AstraZeneca në prill, e cila mori përsipër detyrën e zgjerimit të provave dhe prodhimit të vaksinës.

AstraZeneca rifilloi provat klinike në Shtetet e Bashkuara për vaksinën eksperimentale pas miratimit që mori nga rregullatorët amerikanë, tha kompania të premten. Kjo vaksinë vektoriale virale përdor një version të dobësuar të një virusi të ftohjes tek shimpanzetë i cili kodifikon udhëzimet për krijimin e proteinave nga Covid-19 për të ndërtuar imunitetin kundër koronavirusit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA