Një 22-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi tentoi të korruptojë me 50 euro punonjësit e Policisë Kufitare, për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së.
Ndërsa një shtetase angleze u vu nën hetim pasi nuk justifikonte 21.900 paund që mbante me vete në çantë në Rinas.
Njoftimi i policisë:
Rinas/ Kontrolle të shtuara për përmbushjen e kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Policia Kufitare e Rinasit godet një tjetër rast të mitëdhënies. Tentoi të korruptojë punonjësit e Policisë Kufitare, me qëllim lejimin për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së edhe pse nuk plotësonte kushtet, vihet në pranga 22-vjeçari. Evidentohet dhe goditet edhe një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi, sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 21.900 paund. Procedohet penalisht poseduesja e shumës monetare, 35-vjeçarja me shtetësi angleze. Shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas, në zbatim të masave parandaluese për moslejimin e udhëtimit drejt vendeve të BE-së të atyre shtetasve që nuk plotësojnë kushtet për të lëvizur në hapësirën Schengen, arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, shtetasin R. A., 22 vjeç, banues në Elbasan. Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit të dokumentacionit dhe intervisitimit për qëllimin e udhëtimit në vendet e BE-së, ky shtetas, duke qenë se nuk justifikonte qëllimin e lëvizjes dhe nuk plotësonte kushtet për të udhëtuar në hapësirën Schengen, i ka ofruar punonjësit të Policisë 50 euro, për ta lejuar që të vijonte udhëtimin. Gjithashtu, shërbimet e Policisë Kufitare, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në bashkëpunim edhe me punonjësit e Drejtorisë së Antitrafikut në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, bazuar në analizën e riskut, kanë kaluar për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, shtetasen angleze J. G., 35 vjeçe. Gjatë kontrollit, kësaj shtetaseje iu gjetën në çantë 21.900 paund të padeklaruara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve shtetasja J. G. u procedua penalisht për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave apo sendeve me vlerë në kufi”. Policia Kufitare apelon për të gjithë shtetasit që duan të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së, që në rast se nuk plotësojnë kushtet për të lëvizur në hapësirën Schengen, të mos ndërmarrin asnjë veprim të kundërligjshëm, pasi do përballen me ligjin.
Top Channel