Rama-Manastirliu inspektojnë spitalin Covid 3: Spitali është gati, hapet këtë javë, 150 shtretër në dispozicion dhe staf i trajnuar

26/10/2020 13:34

Tiranë – Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu kanë inspektuar strukturën e ish-kirurgjive në QSUT, që do të shërbejë si spital Covid3 në rast se do të jetë e nevojshme.

“Janë 150 shtretër në këtë strukturë e dedikuar për pacientët me Covid19, ku ka gjithashtu edhe një njësi reanimacioni për pacientët që do të ketë nevojë. Sipas protokollit që ka përcaktuar shërbimi infektiv çdo gjë është vendosur dhe është gati. Janë pajisur dhomat me monitorë, respiratorë dhe linjat e oksigjenit”, tha Manastirliu.

Gjatë inspektimit të spitalit Covid3, Manastirliu tha se aktualisht janë 40-50 shtretër të lirë në dy strukturat Covid1 dhe Covid2, dhe pas ezaurimit të tyre, do të hapet edhe Covid3.

“Ne të dyja strukturat Covid kemi 40-50 shtreter të lirë. Por duke parë trendin e rasteve në rritje mendojmë brenda javës të hapim edhe Covid3. Ndërkohë që kemi dhe Covid4 me rreth 100 shtretër i cili dhe ai është gati. Doktorët dhe infermierët janë gati për të filluar në çdo moment që do të jetë e nevojshme”, tha Manatirliu.

Manastirliu tha se i gjithë personeli që do të shërbejnë në strukturën e spitalit Covid3 është përzgjedhur me kujdes dhe janë të trajnuar prej disa muajsh.

“Burimet njezore që jane me rëndësi ato janë gati. Do të shërbejnë për pacientë që janë të fazën e rekuperimit të sëmundjes. Dhomat janë me standarde dhe të pajisura të gjitha me oksigjen. Stafin e rekrutuam përpara, kanë punuar në Infektiv, kanë marrë dhe bonusin dhe do vazhojnë ta marrin. Ashtu sic e kishim parashikuar në strategjinë tonë”, tha ministrja.

Shefja e spitalit Infektiv Prof. Najada Çomo tha se pacientët në Shqipëri trajtohen sipas protokolleve mjekësore të njejta si kudo në botë dhe ofrohet falas.

“Ne kemi gjithçka që thuhet në botë, të gjitha protokollet e nevojshme. Së fundimi edhe me remdesivirin. Çfarë është shkruar në protokollet e botës e kemi edhe ne. Pacientët janë duke e marrë, duke e ofruar falas 100%, sikurse janë ofruar të gjitha barnat e tjera që janë shkruar në protokolle. Të gjitha barnat ne i përdorim atehërë kur duhet”, tha prof. Çomo.

Spitali COVID3 do të jetë në administrim të spitalit Infektiv në përgjigje të fluksit të shtuar të pacientëve me COVID19.

Top Channel